Kosova do t’i japë presidenti amerikan Donald Trump nderimin më të lartë për rolin e tij në arritjen e marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve ekonomike me Serbinë.

Kreu i shtetit të Kosovës Hashim Thaçi, në një letër të cilën e ka parë agjencia e lajmeve Reuters, e informon shefin e Shtëpisë së Bardhë se do të marrë Medaljen e Urdhrit të Lirisë. Dy ndihmës të Trumpit, këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien dhe Richard Grenell, i dërguari i Presidentit për bisedimet Kosovë-Serbi do të marrin Medaljen Presidenciale të Meritave.

Në letër, Thaçi i shpreh presidentit amerikan mirënjohjen e thellë “për kontributin personal në ndërmjetësimin e marrëveshjes”, dhe i bën ftesë që të vizitojë Kosovën. Si pjesë e një marrëveshjeje të arritur në fillim të këtij muaji, Kosova dhe Serbia ranë dakord të punojnë për lidhjet ekonomike, ndërkohë që normalizimi politik është lënë për një periudhë të mëvonshme.