Pas Tiranës, Vlorës, Durrësit, karvani i mjeteve RETRO nga koleksioni shqiptar do të zhvillojë paradën e radhës së shpejti në qytetin e gurtë të Gjirokastrës. Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Goxhe. “Së shpejti… RETRO në Gjirokastër. S’mund t’i mungojë rrugëtimit të mjeteve historike shqiptare, Gjirokastra madhështore, qyteti i gurtë me kalldrëm dhe aromë historie e traditash! Një nga atraksionet më të dashura turistike!” – shprehet Gonxhe.
Në Shqipëri, ka një numër të konsiderueshëm mjetesh rrugore të hershme, por që për shkak se nuk ka pasur një akt ligjor që të mbrojë dhe promovojë këtë pasion, nuk kanë qenë asnjëherë të ekspozuara tërësisht. Ndaj aktivitetet e këtij lloji janë një manifestim i së bukurës mbi katër rrota. Tashmë DPSHTRR, ka krijuar edhe Qendrën Historike Shqiptare RETRO, një hapësirë ku mund të gjenden mjete të hershme dhe jo vetëm, por edhe pjesë mjetesh, dokumentacione, targa të ruajtura nga koleksionistë të sendeve apo relikeve të vjetra dhe që janë të mirëmbajtura.