Nga Alfred Peza
Rrotacionet e pushtetit, kanë qenë operacionet publike më të lexueshme, në jetën politiko-elektorale të Shqipërisë postkomunistet. Edhe në vitin 1992, edhe më 1997, më 2005 dhe sëfundi në vitin 2013, fryma e saj është ndjerë shumë e shumë kohë përpara. Ajo e ka orientuar dalëngadalë masën e lëkundur të votuesve, duke bërë gjithmonë në fund, diferencën e palëve në proceset zgjedhore.

Ditët e votimit kanë qenë ai momenti kur bëhet çertifikimi zyrtar i kalimit të pushtetit, nga njëra dorë në tjetrën, përmes vullnetit qytetar të shprehur me votë. Kjo frymë as është ndjerë ndonjëherë, e as duket gjëkundi në horizont, për zgjedhjet e e radhës të 25 prillit 2021. Ka shumë arsye, se përse mungesa e kësaj fryme, paralajmëron pashmangshmërinë e humbjes së opozitës dhe vijimin e qeverisjes deri më 2025, nga ana e mazhorancës socialiste.

Opozitës sonë i mungon dimensioni që e ka çuar atë, dy herë deri më sot, drejt pushtetit. Ka qenë një element përbashkues, ai që ka shërbyer si flamuri i fitores së PD. Më 1992 ishte fryma e ndryshimit të madh që solli rrëzimi i Murit të Berlinit, ajo që pas lëvizjes studentore të dhjetorit ’90 në Shqipëri, mori përpara një sistem 45 vjeçar të falimentuar në të gjitha drejtimet. Ndërkohë që PS, sapo kishte nisur të ringrihej, nga hiri i një trashëgime të shkuar.

Për shkak të gabimeve në menaxhimin e zgjedhjeve të 2001 nga qeveria e Ilir Metës, Sali Berisha detyroi më 2002 Kryetarin e PS Fatos Nano të firmosnin një pakt social, që shënoi pikënisjen e rikthimit të PD në pushtet. Krijimi i Komitetit të Orientimit të Politikave (KOP), rikthimi i të ikurve të deriatëhershëm nga selia blu, moderimi i hatashëm i diskursit publik dhe përçarja e PS që çoi në krijimin e LSI, e bënë të pashmangshme fitoren e së djathtës.

Shtatë muaj përpara shkuarjes në kutitë e votimit, nuk ka një element përbashkues që të bëhet, flamuri i rrotacionit të pushtetit në Shqipëri. Kjo bën që era të fryjë më e mbarë, për velat e anijes socialiste, që po lundron gjithnjë e më e sigurtë drejt fitores së mandatit të tretë. Kur kjo tezë u artikulua disa muaj më parë, fillimisht u prit si herezi. Më pas me kritika më të buta. Ndërsa tani, ka fituar qytetarinë. Shenjë e qartë se është drejt të bërit realitetit.

Është hera e parë në historinë e pluralizmit, që një parti politike, mbetet unitare në fund të mandatit të dytë qeverisës. PS ndryshe nga 1992 dhe 2005 kur doli në opozitë, është më e bashkuar se kurrë, duke mos patur asnjë aktor, vektor apo faktor opozitar relevant kundër, brenda saj. Garanci e sigurtë, se objektivi për tu bërë forca e parë politike që fiton tri mandate rresht në tri dekadat e fundit, është realist. Përkundër kësaj, kemi çuditërisht për herë të parë, një opozitë gjithnjë e më të përçarë pas 8 vjetësh në minorancë.

PD nuk arriti të riktheje për të bërë bashkë kundër Edi Ramës, asnjë prej kundërshtarëve të panumërt të Lulzim Bashës. Përmes një procesi të diksutueshëm të përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë, mes 4000 të nominuarve, pritet të sjelli përçarjen më të madhe që një parti ka patur përpara zgjedhjeve. Për aq kohë sa 3860 të eleminuarit, pavarësisht se janë detyruar që të firmosin një marrëveshje qesharake heshtje që do ta kishte zili edhe PPSH e Enver Hoxhës, gëzojnë gjithë të drejtën e Zotit, për të punuar kundër kryetarit të partisë që i keqpërdori.

Ndryshimet kushtetuese për listat e hapura, koalicionet dhe pragun zgjedhor, në vend që ta bashkonin, e përçanë “Opozitën e Bashkuar. Halli i liderëve të PD e LSI, nuk është mundja e PS, por fitorja e tyre personale dhe e partisë që drejtojnë. Kjo i ka futur aleatët e tyre të vegjël në panikun e asgjesimit politik. Sot ato janë gjithnjë e ma larg daljes, me një listë të përbashkët kandidatësh për deputetë, në zgjedhje. Sa më shumë përçahen, aq më pak mundësi kanë, të rikthehen në pushtet!

Si për ti vendosur vulën pashmangshmërisë së humbjes së opozitës, shqiptarëve nuk do ti ofrohet asnjë emër i ri politikani ndryshe apo lideri tjetër, nga ata që ikën prej pushtetit 8 vjet më parë. Janë të lodhurit: Sali Berisha, Lulzim Basha, Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Dashamir Shehi, Nard Ndoka, Agron Duka, Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule, Fatmir Mediu dhe gjithë ministrat e tjerë humbës të qeverisë së 2013.

Kurrë nuk ka ndodhur që një alternativë e vjetër, në mungesë të frymës së ndryshimit, pa një program qeverisës dhe ekip të ri që premton të bëjë diferencën me kundërshtarin, të rikthehet në pushtet. Mrekullitë edhe ndodhin në këtë jetë. Por ato i bën Shën Thomai dhe jo liderët politikë që flenë gjumë!