Nga Adriatik Doci

Çdo njeri normal do ta kishte frikë SPAK-un dhe do merrte qetësues për të fjetur natën po të ishte në vendin e Monika Kryemadhit. Skema e pasurimit të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit është sa e pabesueshme për shqiptarët aq edhe sfiduese për SPAK.

Kanë ngritur një pasuri me vlerë miliona euro pa futut një herë dorën në xhep. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe sepse ata si të ardhura të ligjshme kanë vetëm dy paga shteti, të cilat nuk mbulojnë koston e jetesës, pa llogaritur shkollimin e fëmijëve në Agli, banjo për macen, ndërhyrjet estetike, shpenzimin e një page vjetore për një ditëlindje etj.

Në 2003 blejnë një vilë në Golem me vlerë 60 mijë USD me kredi. Vilën e shesin pas 3 vitesh për 300 mijë euro. Shlyejnë kredinë 60 mijë USD. Blejnë një apartament në Tiranë 400 mijë euro, 200 mijë euro nga shitja e vilës dhe 200 mijë euro kredi.

Vëllai i fal Monikës në Laprakë 700 m2 tokë. Merr edhe një kredi 5 milionë lekë dhe blen edhe 500 m2 tokë. Lidh një kontratë për ndërtimin e një pallati mbi këtë tokë, ku përfiton 33 % të sipërfaqes ndërtimore. Disa dyqane të pallatit i shkëmben me vilën në Gjirin e Lalëzit, e cila dyshohet se ka një vlerë sa dy pallate.

Duke shitur apartamentet në këtë pallat, fiton 1 milionë euro, ndërsa shlyen dy kreditë 200 mijë euro dhe 5 milionë lekë. E gjithë kjo pa futur dorën në xhep. Nuk është përrallë.

Ndaj Monika Kryemadhi nuk pranon që gazetarët ta pyesin rreth burimit të pasurisë, por vetëm për programin qesharak të LSI, i cili ngjan me ato menutë e qoftoreve.

Megjithatë, Monika Kryemadhi, ka një shpjegim zyrtar për pasurinë e saj: Pasurinë e kontrolluar dhe certifikuar Adriatik Llalla, fillimisht kur drejtonte ILDKPKI dhe më pas si kryeprokuror, para se të merrej i pandehur nga SPAK për largim të parave jashtë vendit dhe të futej nga amerikanët në listën e zezë.