Gala Aliaj, vajza e Robert Aliaj, arriti të triumfonte në garën në “The Voice Kids” në Belgjikë. Me zërin mjaft potent për moshën e saj dhe dellin artistik, Gala ja doli mbanë të rrëmbente vëmendjen e gjithë publikut belg.
E ftuar mëngjesin e sotëm në “ABC e mëngjesit” ajo u shpreh falenderuese ndaj të gjithëve që i kanë kushtuar vëmendje dhe se nuk di si ta shpjegoj këtë ndjenjë.
“Shumë faleminderit për vëmendjen që keni për mua. Kam një ndjenjë shumë normale, nuk di si ta shpjegoj, është shumë abstrakte. Ndihem shumë falenderuese dhe për të gjitha gjërat që kanë ndodhur tani. Shumë faleminderit për suportin. Është e mrekullueshme. Ju dua të gjithëve”, u shpreh Gala Aliaj.
Ndërsa Roberti tha se fitorja e së bijës ka qenë momenti më i bukur për të dhe madje e ka cilësuar si rilindje. Ai ka uruar që çdo babai në botë, t’i jepet mundësia të përjetoj të paktën një herë të njëjtin emocion si ai.
“Është rilindja që ti përjeton, padyshim nuk e ekzagjeroj jeton me detaje situatat analoge por në nivele të ndryshme. Përjeton këto momente kaq të bukura.
Këto gjëra mi solli Gala, nuk ka gjë më të bukur sesa të ndjehesh babi i dikujt, është e madhe. Tani që e shijoj këtë dua t’jua uroj çdo babai në botë, në veçanti të gjithë baballarëve shqiptarë që t’ju jepet një mundësi e tillë”, tha Robert Aliaj.
Ai tregoi se Gala ishte regjistruar fare rastësisht në “The Voice”, në limitet e kohës dhe se ata nuk e kishin menduar kurrë që do të bëhej pjesë e spektaklit, e aq më tepër se do arrinte të dilte fituese.