Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela thotë se me reformën në drejtësi, krimi i organizuar dhe korrupsioni në nivel të lartë janë kompetencë e SPAK. Ndaj për këtë arsye, z. Çela tha se nevojitet një qartësim në opinionin publik pasi pritshmëritë janë që Prokuroria e Përgjithshme të çojë para drejtësisë emra të njohur.
I pyetur nga Ilva Tare se, kur do të ndodhë ndëshkimi i emrave të mëdhenj të krimit apo dhe ata politikës të përfolur për korrupsion, ai u përgjigj se për këtë duhet pyetur drejtuesi i SPAK.
“Për këtë duhet të pyesni z. Arben Kraja kryetar i SPAK-ut,” – u shpreh kryeprokurori Olsian Çela, i cili tha se është krijuar pavarësi institucionale në organin e akuzës.
Në një vend ku mungon tradita e drejtësisë, moderatorja Ilva Tare e pyeti nëse ka ndonjë mekanizëm që mund ta parandalojë tejkalimin e kompetencave mes prokurorëve.
“Një nga kompetencat që ka Prokurori i Përgjithshëm është që të referojë raste për shkelje disiplinore Inspektorit të Lartë të Drejtësisë […] kemi krijuar sektorin e monitorimit që do të monitorojë shkeljet e prokurorëve dhe oficerët e policisë gjyqësore, informacionet që mbledhim janë administrative dhe i çohen inspektorit dhe kështu ndihmojmë Inspektoratin me synim përmbushjen e detyrave që ai ka,” – shpjegoi z. Çela.
Gjatë intervistës në ‘Ilva Now’, z. Çela tha se sfida kryesore e Prokurorisë së Përgjithshme mbetet rritja e besimit të qytetarëve te sistemi i drejtësisë, te prokurorët dhe gjyqtarët.
“Nëse do të arrijmë t’i bëjmë të rinjtë të kenë ambicien dhe të jenë krenarë nëse bëhen prokurorë apo gjyqtarë do të kemi arritur shumë,” – tha z. Çela i cili i pyetur se përse vonoi për të dalë në një intervistë në media, shtoi se daljet publike janë modeli i një qasje që shpesh ka sjellë zhgënjime.