Nga Ylli Pata
Përplasja e Edi Ramës me Dora Bakojanis dje në forumin e Athinës, i organizuar nga “The Economist”, duket se ishte një skenë që i shkonte për shtat kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, i cili sapo ka nisur negociatat me Edi Ramën, në një atmosferë të nderë të luftës së deteve, ku po ndodh përplasja me Turqinë e Erdogan. Dora Bakojanis është arikektja, firmosësja, ideuesja dhe përgatitësja e “Paktit të Ujrave” që u firmos në vitin 2009 me qeverinë e Sali Berishës në Shqipëri.
Ishte koha kur Greqia mbante Presidencën e radhës së OSBE-së. Sot këtë Presidencë e mban Shqipëria dhe përballë saj ishte Edi Rama, kreu i kësaj Presidence dhe njeriu që ja ktheu në “nul”, ose që ndikoi ta kthejë në nul gjithë atë pakt, që për Dorën ishte “investimi i saj i jetës”.
Dora Bakojanis nuk është thjeshtë një ish-ministre e Jashtme e Greqisë, apo përfaqësuese e Nea Demokratia, që drejton qeverinë greke. Ajo është motra e kryeministrit aktual të Greqisë, e si rrjedhim, është një kthim i asaj filozofie që Dora, si një diplomate e sprovuar në shërbim të vendit të saj, prodhoi marrëveshjen e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë. Dora Bakojanis dhe Kyriakos Mitsotakis janë fëmijët e Kostantinos Mitrotakis, kryeministrit të Greqisë në vitet ‘90, i cili ka mbështetur dhe hartuar një politikë agresive me Shqipërinë, që u vulos me një fushatë deregjistrimi të emigrantëve shqiptarë në Greqi, të cilët u vaftisën dhe ndryshuan identitetin vetëm e vetëm për të rritur numrin e “homogjenëve” grek në Shqipëri, i cili mbahet mend edhe për operacionet famëkeqe “Fshesa”, të dëbimit masiv të emigrantëve.
Dueli i Dorës me Edi Ramën dje u zhvillua për Erdoganin, për arsye se ky establishment në Greqi e shikon presidentin turk si autorin e rrëzimit të marrëveshjes me Shqipërinë.Argument që është mbrojtur fort edhe nga ish- kryeministtri Sali Berisha për 11 vjet me radhë.Edi Rama deklaroi në takim se nuk ka një qëndrim të Erdoganit dhe e mori përsipër vetë kërkesën për të rrëzuar marrëveshjen. Ndërsa në takimin me emigrantët shqiptar në Athinë, deklaroi se Qeveria shqiptare nuk do të ndjekë logjikën e marrëveshjes së negocuar nga Ditmir Bushati me Greqinë, por një gjykim nga një pale e tretë, ose Gjykatë Ndërkombëtare.
Përse e ka thënë këtë kryeministri shqiptar? Duket hapur që me zërin e Dorës, pala greke ka bërë thuajse të qartë se ajo kërkon dokumentin e 2009-s në thelb. Po mire, çfarë realisht ka negociuar Ditmir Bushati me Nikos Kotziasin, që mediat greke dje dhe sot e konsideruan një bazë për marrëveshjen e re? Kjo duhet bërë transparente sa më parë.