Nga Mero Baze

Nuk e kam fjalën për mediokritetin e djeshëm të Budinës në Presidencë, pasi tani ai mund të argëtoj vetëm spektatorë me listë. Në krahasim me Budinën , Ilir Meta është një aktor më i mirë. Ka më shumë temperament dhe i merr më seriozisht rolet. Por të dy i bashkon një gjë: Nuk kanë publik.

I pari nuk ka, se nuk ja ka dal kurrë të bëhet aktor rrace, dhe nuk ka pasur kurrë spektatorin e vet. Tani ka përfunduar aktorë skenash politike. I dyti nuk u bë dot kurrë politikan popullor të kishte elektoratin e vet dhe ka përfunduar aktorë. Dhe të dy i bashkon fakti që improvizojnë publikun dhe sillen si udhëheqësa.

Ilir Meta ka kohë që e ka nisur kthimin nga president në aktorë, para se Budina të kthehej nga aktor në politikan.

Pa mbushur ende një vit në presidencë, ai nisi të imitoj kryetarin e opozitës dhe të luaj rolin e tij. Dhe gjithë eksperimentet i bën në Presidencë. Aty eksperimentoi dhe vuri në skenë dramën e revolucionit të molotovëve, që përfundoi në komedi për publikun dhe në tragjedi për opozitën. Aty vuri në skenë skenarin e bojktoit të zgjedhjeve lokale, duke i shtyrë ato me dekret, e duke e kthyer në tragjedi për opozitën dhe komedi për at ësi President që nuk e mori seriozisht askush.

Pastaj fillonte të aktronte si i cmendur dhe na bëri merak të gjithëve. Shkonte rrugëve të Bosnjës, kapte një mace dhe e puthte, pastaj një qen dhe e vërtiste në duar , pastaj takonte tifozë të Sëlltikut dhe shpallej tifoz me Sëlltikun dhe e gjithë kjo që ne të harronim cfarë kish bërë me revolucionin e molotovëve dhe bojkotin e zgjedhjeve.

Pastaj filloi të luante rolin e njeriut normal, që kritikonte opozitën për bojkotin dhe diegien e mandateve. Pastaj filloi të luftoj korrupsionin dhe mori me rradhë listat e tenderave që më parë i ndante ai, me shqetësimin se tani dikush tjetër i merr lekët.

Pastaj befas u bë patriot. Filloi të kërkoj llogari për Marrëveshjen e Detit që kishte firmosur vet më 2009 , dhe zuri të bridhte fshat më fshat të Shqipërisë, të gjente heronjë që kishin sakrifikuar për këtë vend, e ti bënte pasardhësit e trye anëtarë të LSI. E zuri nga Mic Sokoli e përfundoi tek Lufta e Vlorës, duke bërë më rëmujë se sa është gjithë historinë tonë.

Tani nga fundi është i mahnitur nga Faik Konica dhe Arben Malaj dhe i citon të dy njësoj.

Por problemi është se nuk ndez asgjëkundi. Njerëzit e marrin prap për aktorë. Nuk e marrin seriozisht kur anulon zgjedhjet me dekret, nuk e marrin seriozisht kur shpall zgjedhje, pasi nuk i shkon njeir, nuk e marrin seriozisht, kur cmendet e loz me qen e mace, nuk e marrin seriozisht as kur sillet normalisht, nuk e marrin seriozisht kur bën si atdhetar, nuk e marrin seriozisht as kur citon Ben Malaj. Thjesht e kanë të fiksuar në kokë, që ky është ai burri i bllokut për të cilin u vranë katër vet në bulevard . Cdo gjë tjetër për të cilën ai po torturohet si aktor, nuk ja merr njeri seriozisht. Ndaj ka bërë mirë që ka thirr Budinën në Presindcë. Të paktën të ketë një njeri në atë godinë që të paguhet si aktor. Se Meta paguhet për President .