Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka ka thyer heshtjen. Fitorja me përmbysje e Shpresave ndaj Andorrës ka rikthyer optimizmin te numri 1 i FSHF i cili i ka bërë një analizë jo vetëm suksesit të talenteve të drejtuar nga Alban Bushi por edhe disfatës së kombëtares së madhe në sfidën ndaj Lituanisë. “Të dyja ishin ndeshje të vështira, por ekipi U21 luajti edhe pse ishte në disavantazh. Kishte besim dhe ta kthesh ndeshjen është vërtet karakter. Kështu që U21 është në udhën e mbarë, me lojën e bërë në Austri edhe këtu”, thotë fillimisht Duka, i cili më pas futi në “lupë” Shqipërinë e madhe.
“Ndërsa ekipi i parë zhgënjeu jo vetëm me rezultat, por nuk dha gjë në fushë. Nuk mendoj që ishte vetëm lodhja, që padyshim ndikoi, por përqendrimi për të vlerësuar çdo lloj kundërshtari, domethënë për t’u kthyer me këmbë në tokë dhe për ta fituar ndeshjen në fushë. Por që të jesh skuadër e madhe duhet të kesh përqendrimin e duhur. Pikërisht për këtë ne nuk jemi skuadër e madhe. Duhet të përqendrohemi maksimalisht, të japim mbi 100 për qind që të bëjmë rezultat. Nëse hymë në fushë si gjeneralë, patjetër që do të dalim të turpëruar”, deklaron presidenti i FSHF, ndërkohë që vijon me mesazhet e tij për ekipin e parë, duke marrë si shembull pikërisht dëshirën e futbollistëve të Shqipërisë U21.
Një pjesë e titullarëve luajnë në Superiore dhe kur Duka pyetet nëse e mendojnë që klubet që çojnë lojtarë në kombëtaret e moshave të shpërblehen. “Patjetër, ne i mbështesim talentet. Ata janë fryt i punës së përbashkët i të gjithë futbollit shqiptar.Ata janë edhe e ardhmja e ekipit të parë. Në fushë pamë shumë lojtarë nga kampionati shqiptarë, që kanë dëshirë për të luajtur. Ata që të japin rezultat janë futbollistët që kanë dëshirë për të luajtur, që japin maksimumin në fushë. Pamë mbrojtësin, Selmanin, që shënoi gol për herë të dytë. Domethënë vetëm me seriozitet, dëshirë dhe përkushtim maksimal ecet përpara”, përfundoi Duka deklaratën e tij./SS