Para takimit me Kryeministrin grek Mitsotakis, Presidenti francez Emanuel Macron foli për veprime të papranueshme të Turqisë në Detin Mesdhe dhe i doli sërish në krah Greqisë. “Turqia nuk është më një aleat në rajon. Edhe pse është një vend anëtar i NATO-s, nuk sillet si i tillë. Veprimet që po ndërmerr Turqia në Mesdhe janë të papranueshme. Turqia nuk përfilli të drejtat e Greqisë dhe nënshkroi marrëveshjen e kufirit me Libinë që është e papranueshme”.
Macron kërkoi nga Bashkimi Europian që të jetë më i ashpër me Erdoganin. “Turqia nuk mund të veprojë me gjuhë provokimi. Turqit janë një popull i madh por edhe ne europianët duhet që të qëndrojmë më të ashpër ndaj qeverisjes së Erdogan. Turqia është në fantazinë e krijimit të një perandorie”. Nga Ankaraja reagoi zëdhënësi i partisë në pushtet, Omer Çelik, i cili u shpreh se edhe Turqia do t’i tregojë vijën e kuqe Macronit në Mesdhe dhe Franca do të marrë përgjigjen e duhur.
Ndërkohë tensioni në rajon vijon. Mediat greke shkruajnë se Franca i ka shitur një fregatë dhe i ka dhënë dy të tjera me qira Greqisë. Ndërkaq Turqia po përgatitet të ndezë motorët e anijes tjetër sondazh për kërkime në Mesdhe. Kështu veç Oruc Reisit e Barbarosit, do të jetë në aksion edhe anija tjetër Kanuni, ndërsa pritet sërish zgjatja e afatit për kërkime.