Prezenca e OSBE-së në Shqipëri nisi më 1 shtator 2020, një projekt që synon forcimin e kapaciteteve dhe rritjen e transparencës dhe të llogaridhënies të sistemit të prokurimit publik në Shqipëri.
Me anë të këtij projekti, si dhe me mbështetjen e Delegacionit të Përhershëm të Italisë në OSBE, Prezenca do të zhvillojë punë kërkimore për të evidentuar rreziqet dhe për të parandaluar korrupsionin në fushën e prokurimeve publike. Ajo do të ofrojë rekomandime për përmirësimin e kuadrit të politikave dhe për zhvillimin e kapaciteteve, si dhe do të përkrahë transparencën dhe mbikëqyrjen e të dhënave ndërmjet aktorëve të shoqërisë civile.
Prezenca ka kontraktuar Qendrën Kërkimore Europiane Kundër Korrupsionit dhe për Ndërtimin e Shtetit, pjesë e Shkollës së Qeverisjes Hertie, me qendër në Berlin, si dhe Institutin Shqiptar të Shkencave për nisjen e një vlerësimi tërësor të rrezikut në fushën e prokurimeve publike në disa sektorë publikë të caktuar.
Gjithashtu, ata do të përgatisin një hartëzim pamor për evidentimin e hendeqeve, si edhe do të bëjnë rekomandime për zbutjen e rreziqeve me anë të përmirësimit të kuadrit të politikave dhe të administrimit operacional .
Gjithashtu, Prezenca do të zhvillojë një udhërrëfyes për krijimin e një programi trajnimi profesional për zyrtarët e prokurimeve publike, me qëllim rritjen e aftësive të tyre dhe përmirësimin e efikasitetit, planifikimit dhe të procedurave të mbikëqyrjes.
Me anë të këtij projekti, Prezenca do të punojë nga afër me Agjencinë e Prokurimit Publik, Komisionin e Prokurimit Publik, Shkollën Shqiptare të Administratës Publike dhe me Departamentin e Administratës Publike.
Ky projekt është pjesë e përpjekjeve të Prezencës për të mbështetur qeverinë e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit.