Projekti i rrugës së Lumit të Vlorës, një ndër projektet infrastrukturore me eficiencën më të lartë ekonomike në vend. Komisioni për Politikën e Jashtme zhvilloi sot, në drejtimin e kryetares, Mimi Kodheli, mbledhjen e parë të sesionit të shtatë të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Shqipërisë. Në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi mbledhja e sotme miratoi dy projektligje: “Për aderimin në amendamentin DOHA të Protokollit të Kioto-s të Konventës kuadër të Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike aderuar me ligjin nr. 9334, datë 16.12.2004” dhe “Për denoncimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim për financimin e projektit “Rehabilitimi i rrugës së Lumit të Vlorës” ratifikuar me ligjin nr. 100/2017.
Komisioni shqyrtoi projektligjin “Për denoncimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim për financimin e projektit “Rehabilitimi i rrugës së Lumit të Vlorës” ratifikuar me ligjin nr. 100/2017, që u paraqit për komisionin nga Kesiana Halili, drejtore e Përgjithshme e borxhit në Ministrinë e Financave dhe Gjonçaj, drejtore e njësisë së hartimit të projekteve në Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Halili dhe Gjonçaj argumentuan se qëllimi i këtij projekt-akti është ndjekja e procedurave ligjore të denoncimit të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për financimin e projektit “Rehabilitimi i rrugës së Lumit të Vlorës”, ratifikuar me ligjin nr.100/2017, në shumën e përafërt me rreth 30 milionë dollar. Denoncimi, i referohet si term detyrimeve nga ligji i marrëveshjeve të vitit 2016, që nënkuptonte përfundimin e një marrëveshjeje huaje të pabërë asnjëherë efektive. Synimi final ishte çlirimi i barrës financiare të nivelit të borxhit dhe krijimi i mundësisë për te siguruar financime për projekte të tjera më prioritare.
Gjonçaj, shtoi gjithashtu se kostoja e lotit të katërt, rezultonte gati dyfish nga sa parashikimet e studimit paraprak të fizibilitetit, që përafrohej me 30 milionë dollarë, shifër e përafërt me huanë e marrëveshjes. Ky ishte sipas saj shkaku kryesor, që frenoi ecurinë e kësaj marrëveshjeje. Gjithashtu, si argument tjetër, përfaqësuesja e FShZh-së përmendi se paralelisht, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Banka Botërore po zbatojnë dy projekte të tjera, që mundësojnë me kosto tre herë më të ulët, lidhjen e të njëjtit rajon me bregdetin. Kjo shtyu sipas Gjonçaj dhe Halili, që qeveria të propozonte mosinvestimin në këtë moment, duke qenë edhe se marrëveshja s’ishte bërë ende efektive. Projektligji u relatua për komisionin nga Alket Hyseni, që vlerësoi maksimalisht projektin e rrugës së Lumit të Vlorës, dha mbështetjen e tij për këtë projektligj, duke e cilësuar si një ndër projektet infrastrukturore me efiçiencën më të lartë ekonomike në vend. Në përfundim të diskutimeve, komisioni e votoi në parim, nen për nen dhe në tërësi këtë projektligj.
Komisioni shqyrtoi edhe Projektligjin “Për aderimin në amendamentin DOHA të Protokollit të Kioto-s të Konventës kuadër të Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike aderuar me ligjin nr. 9334, datë 16.12.2004” u paraqit në komision nga Pëllumb Abeshi, drejtor i Politikave dhe Strategjive të Zhvillimit të Mjedisit në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit. Abeshi bëri me dije se ndryshimet e sjella përmes këtij ligji janë në kuadër të detyrimeve që Shqipëria ka si pjesëmarrëse e konventës së ndryshimeve klimatike, si edhe për të reflektuar masat e ripara nga protokolli i Kioto-s, në mënyrë që të garantohet realizimi i objektivave globale dhe kombëtare. Drejtori i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit u shpreh që ky projektligj nuk ka efekte financiare, e se përpjekjet e Shqipërisë në drejtim të politikave mjedisore, do të reflektohen edhe në një projektligj tjetër që do të vijë së shpejti në Kuvend, lidhur me ndryshimet klimatike.
Projektligji u relatua për komisionin nga Andrea Marto, që gjithashtu e mbështeti si nismë. Në përfundim të diskutimeve, komisioni e miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin. Amendamenti Doha përmban, veç angazhimeve të reja për palët në aneksin I të protokollit të Kiotos dhe ndryshimeve në nenet përkatëse, ku Shqipëria nuk përfshihet, edhe një listë të rishikuar e gazeve serrë (GHG), që do të raportohen nga palët në periudhën e dytë të angazhimit. Edhe mbledhja e sotme e komisionit, në vijim të masave protokollare të ndjekura edhe përgjatë sesionit paraardhës, u zhvillua përmes platformës elektronike të komunikimit, “Cisco Webex”.