Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot në Kuvend se “rafinerinë e Ballshit në atë situatë e çoi një privatizim korruptiv dhe i paligjshëm i Sali Berishës”.

Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës në Kuvend, pas shqetësimit të ngritur për situatën në rafinerinë e Ballshit, Balla tha se “përpara se të ngrini gishtin e akuzës ndaj kësaj qeverie dhe kësaj mazhorance, shikoni arsyet që e kanë çuar rafinerinë e Ballshit në atë situatë”.

“Ju keni të drejtë sepse duhej që në vitin 2013 ai privatizim të denoncohej dhe të hetohej nga prokuroria. Padyshim që nuk ka pasur ndonjë pritshmëri që prokuroria e viteve 2015, 2016, 2017, para ngritjes së SPAK-ut, do të bënte ndonjë hetim. Por nëse do të hapej një hetim për atë çështje, kjo është një prej shumë çështjeve që duhet rihapur hetimi, ashtu sikurse edhe për masakrën e Gërdecit, pas konfirmimit nga drejtësia amerikane se Shkëlzen Berisha është i përfshirë në atë krim shtetëror”, tha Balla.

Ai tha se deputetët kanë detyrimin të bëjnë hulumtimin e çështjeve dhe arsyeve që kanë çuar në atë situatë të vështirë të kompanisë ARMO, por që nuk është kompani shtetërore.

“Unë nuk e di si mund të ngresh gishtin kundër qeverisë apo kundër institucioneve të tjera shtetërore ku padyshim aty është një kompani private, një shkëmbim mes privatësh, me përpjekjen për ta vendosur në punë. Por zanafilla e kësaj historie është privatizimi”, tha Balla.

Më herët në seancë plenare, deputetja Rudina Hajdari tha se “para se të ndodhte privatizimi i ARMO-S, qytetarët duhet të kuptojnë se edhe pse kishte një korrupsion galopant, edhe pse kishte dy herë më shumë punëtorë, arrinte t’i paguante punëtorët”.

“Që kur ARMO u privatizua në kohën e Berishës, në kohën e PD-së sot vazhdon të jetë një biznes i korruptuar dhe e ka çuar vendin në gropë, sepse sot ne kemi detyrime 900 milionë euro borxh ndaj shtetit dhe palëve të treta dhe çfarë është më e keqja ndaj këtyre punëtorëve që sot janë pa rroga. Ata më të drejtë kërkojnë rrogat e tyre. A ka një procedim për ata njerëz që e kanë çuar në 900 milionë euro borxh këtë biznes? A ka një procedim për ta që nuk paguhen punëtorët? Ka zero procedime, por ka sot nga ata naftëtarë që prej vitesh vazhdojnë të dalin në rrugë për të protestuar dhe janë të pambrojtur dhe procedohen që kërkojnë të drejtat e tyre. Sot ne heshtim përballë atyre njerëzve të ndershëm që kërkojnë rrogat e tyre”, tha ajo.

Naftëtarët e Ballshit po protestojnë përpara Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës dhe kërkojnë rifillimin e punës së rafinerisë së Ballshit si dhe pagat e prapambetura.