Në kishën e “Shën Mërisë”, në ishullin Maligrad po zhvillohen përgatitjet e fundit për fillimin e punës së restaurimit të çatisë së këtij monumenti kulture. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Administrata e Zonave të Mbrojtura Korçë e mbështetur nga organizata për mbrojtjen e mjedisit “Transboundary Biosphere Prespa” në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimis ëKulturore Korçë dhe European Heritage Volunteers po punojnë bashkëisht për ruajtjen e këtij guri të çmuar të Prespës. Gjatë inspektimit të kryer dje në këtë kishë organizata “Transboundary Biosphere Prespa” thekson se “po zhvillohen përgatitjet e fundit për të filluar punimet e restaurimit në ishullin Maligrad në Parkun Kombëtar të Prespës”.

“Puna e profesionistëve të restaurimit nga Shqipëria dhe e gjithë Evropa për restaurimin e catisë në kishën e Shën Mërisë, platformës së vizitorëve dhe shtegut në ishullin Maligrad do vazhdojë gjatë periudhës 31 gusht – 12 shtator. Ideja është të promovojmë Sustainable Tourism duke vlerësuar trashëgiminë natyrore dhe kulturore të ishullit në Parkun Kombëtar të Prespës”, – tha kjo organizatë. Kisha e Shën Mërisë ndodhet në liqenin e Prespës në ishullin e Maligradit. Kisha e Shën Mërisë e shekullit XIV është një nga monumentet më me vlerë të trashëgimisë kulturore.

Në këtë ishull janë gjetur edhe objekte si tjegulla, kollona e kapitele që i përkasin sipas arkeologëve një kishe paleokristiane që mendohet të ketë qënë në pjesën e sipërme të liqenit. Sipër këtij ishulli ndodhen edhe rrënojat e vilës verore të Car Simeonit të shekullit XI. Kisha e Shën Mërisë është një themelim i vjetër dhe ka shërbyer si qendër shpirtërore për prijësat shqiptarë.

Mbishkrimet që gjenden në këtë kishë i përkasin periudhave të ndryshme të lidhura me historinë e këtij monumenti. Një mbishkrim në faqen jugore, më i hershmi në këtë kishë i përket vitit 1345 dhe fazës së parë të zbukurimit të kësaj kishe me afreske.