Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ishte sot në qendrën e re shëndetësore të Librazhdit, e cila është rikonstruktuar tërësisht në saj të programit të qeverisë për rikonstruksionin e 300 qendrave shëndetësore.

“Sot ishim në fshatin Togëz, ku pas fabrikës së punësimit, projektit të rikonstruksionit të blloqeve të pallateve, po përfundojmë rikonstruksionin e plotë të Qendrës Shëndetësore, si dhe hapësirë për çerdhen dhe kopshtin e fëmijëve”, tha Balla.

Ai theksoi se janë 6 qendra shëndetësore në një kohë kaq të shkurtër vetëm në Librazhd, pa futur punimet e tjera edhe në bashkinë Përrenjas.

“Është një hap shumë i rëndësishëm drejt atij angazhimi që kemi thënë, sepse zotimi i qeverisë ka qenë 300 qendra shëndetësore, në 4 vite, 2017-2021. Është një punë kolosale që brenda një periudhe kaq të shkurtër kemi shëruar një plagë 30-vjeçare në shërbimin shëndetësor parësor. Këtu jemi në një qendër shëndetësore që me shpresë, dhe në një kohë të shkurtër sapo të jetë zhvilluar edhe vaksina e COVID, personat vulnerabël do të trajtohen me vaksinat falas edhe ndaj COVID. Por jemi në një sezon që ju jeni në frontin e parë të luftës pavarësisht gojëve të liga, apo të politikanëve që shpeshherë e gjejnë fajin te bluzat e bardha. Janë politikanë të së keqes”, tha Balla.