“Qytetari dixhital” vijon të verë herë pas here në lojë ish kryeministrin Sali Berisha. Përmes rrjetit të tij social Facebook, ky i fundit nuk nguron të përcjellë paverifikuar çdo informacion që i vjen duke pasur fokus vetëm denigrimin e kundërshtarit politik. Së fundmi, një lojë epike është bërë me të edhe përmes një video të cilën ai ka zgjedhur ta shfrytëzojë për të goditur kryeministrin Edi Rama duke sulmuar Institutin e Sigurimeve Shoqërore.
Berisha ka publikuar një material filmik të disa viteve më parë, ku ja ka servirur publikut si një ngjarje të shënuar sot duke e shoqëruar me dixhiturën se ka pasur radhë pas vizitës së shefit të qeverisë. “Mashtrimi i radhes i Edvin Hajdutit. Tha se ne Durres u zhduken radhat. Ky eshte mashtrim. Shikoni videon, pensionistet me ore te tera ne radhe sot pas largimit te tij. sb”, shkruan ai. Ndërkohë, ajo që u ka rënë në sy dhjetëra qytetarëve është posteri i vendosur në ballinën e këtij institucioni i cili është i ndryshëm nga ai që është aktualisht, çka vërteton se video është xhiruar në një tjetër kohë.
Komentuesit ja kanë sjellë në vëmendje Berishës duke ironizuar postimin e tij që pretendonte se ka pasur radhë individësh edhe pse ky institucion ka fuqizuar punën online si dhe ka rritur kapacitetet e ofrimit të shërbimit brenda protokolleve të sigurisë. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama gjatë një vizite në këtë institucion ditën e sotme, deklaroi se radhët nëpër sportele do të shmangen duke u zotuar se deri në fund të vitit “92% e shërbimeve do të mund të merren pa lëvizur nga shtëpia”, dhe se do të jetë “shteti që vjen në xhep, në Iphone dhe kompjuter”.
Përpos dezinformimit të ish kryeministrit që tashmë është shndërruar në një praktikë të vazhdueshme dhe monotone, ajo që të bën përshtypje është se si mjaft organe mediatike të vendosura në shërbim të tij, vijojnë të mos kryejnë verifikimet e nevojshmë duke i servirur publikut blofet e Berishës. Më poshtë po përcjellim një fotografi nga gjendja e këtij institucioni sot dhe posterin e vendosur.