Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi sot dy projektligjet “Për aderimin në amendamentin DOHA të Protokollit të Kioto-s të Konventës kuadër të Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike aderuar me ligjin e dhjetorit 2004” dhe “Për denoncimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim për financimin e projektit “Rehabilitimi i rrugës së Lumit të Vlorës” ratifikuar me ligjin nr. 100/2017.

Projektligji i parë u prezantua në komision nga Pëllumb Abeshi, drejtor i Politikave dhe Strategjive të Zhvillimit të Mjedisit në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe u relatua nga Vasilika Hysi. Abeshi sqaroi se amendimet e ligjit vijnë në kuadër të detyrimeve që Shqipëria ka si pjesëmarrëse e konventës së ndryshimeve klimatike, si edhe për të reflektuar masat e ripara nga protokolli i Kioto-s, në mënyrë që të garantohet realizimi i objektivave globale dhe kombëtare. Relatorja Hysi vlerësoi se nisma është në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Në përfundim të diskutimeve, komisioni e miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Projektligji i dytë “Për denoncimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim për financimin e projektit “Rehabilitimi i rrugës së Lumit të Vlorës” ratifikuar me ligjin nr. 100/2017”, u paraqit në komision nga Kesjana Halili, Drejtore e Përgjithshme e Borxhit Publik dhe Ndihmës Huaj, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe u relatua për komisionin nga deputeti Alket Hyseni.

Pas diskutimeve, projektligji u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi nga shumica e deputetëve të pranishëm në mbledhjen e komisionit.