Tirana ka nisur programin e rindërtimit të objekteve arsimore pas tërmetit të 26 nëntorit, një pjesë e të cilave do të financohen nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga donatorët.
Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj dhe nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, ishin në shkollën “Murat Toptani” në zonën e Selitës, e cila do të rindërtohet shumë herë më e madhe dhe me kushte më të mira se e para.
Nënkryetari Mazniku tha se shkolla e re, që do u shërbejë 360 nxënësve, do të ketë kapacitete të shtuara, mjedise moderne me standarde bashkëkohore, 4 laboratorë, palestrën, hapësirë të dedikuar për parashkollorin dhe kushte shumë herë më të mira se më parë, sikurse secila nga 143 shkollat që do të rindërtohen nga e para.
Nga ana e tij, ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj u shpreh se shumë shpejt do të nisë puna edhe për pallatet e reja.
“Me fillimin e prishjes së kësaj shkolle dhe shkollave të tjera të lotit të parë në Tiranë, kemi filluar edhe fazën e parë dhe të dytë njëherësh të ndërtimit të shkollave në bashkinë e Tiranës. Bashkia e Tiranës është njësia zbatuese, ashtu siç është edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit jashtë zonës së Bashkisë, njësia zbatuese për shkollat, për ndërtesat individuale, si edhe për pallatet që do t’i fillojmë shumë shpejt”, tha Ahmetaj.
Ministri bëri të ditur se si për shkollën “Murat Toptani”, do të nisë dhe zbatimi i projektit për shkollën e re të Pezës, me mbështetjen e qeverisë sllovake. “Shkolla “Murat Toptani” është një nga 143 shkollat që do të ndërtohen me procesin e rindërtimit.
‘’Në total, ndërtohet me financim të buxhetit të shtetit, por brenda Bashkisë Tiranë ne kemi një sërë shkollash që do të ndërtohen me donator, ne këtë javë kaluam në Këshill të Ministrave marrëveshjen me qeverinë sllovake për shkollën e Pezës, që ishte një nga pretendimet e opozitës se askush s’po mendonte për atë shkollë. Qytetarët mund t’a verifikojnë fare kollaj vendimin e qeverisë, ku është e përfshirë edhe marrëveshja. Unë do të nënshkruaj javës që vjen, të martën, marrëveshjen me përfaqësuesit e qeverisë sllovake. E njëjta gjë ndodhi edhe me qeverinë sllovene, dhe me qeverinë gjermane, që kanë marrë përsipër të ndërtojnë 3 shkolla”, nënvizoi Ahmetaj.
Paralelisht me rindërtimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti, bashkia e Tiranës po vijon punën dhe për ndërtimin e 17 shkollave të reja, duke krijuar një standard të ri të institucioneve arsimore.