Procesi për ndërtimin e njësive individuale për banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit po ecën me ritme të shpejta, ndërsa ka nisur edhe dorëzimi i banesave të para te qytetarët.
Kjo u bë e ditur nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes me drejtorin e Fondit të Katarit për Zhvillim, Khalifa Al Kuwari, për ndërtimin e dy shkollave dhe kopshtit e çerdhes 42, përmes një investimi prej 5 milionë dollarë sh, kontribut i Katarit në Konferencën e Donatorëve në Bruksel.
“Programi i njësive individuale po ecën me shpejtësi në të gjithë zonat e dëmtuara si në bashkinë e Tiranës, ashtu dhe në 10 bashkitë e tjera të dëmtuara. Edhe procesi i dorëzimit të shtëpive ka filluar dhe do të vazhdojë me intensitet”, deklaroi ministri.
Në të njëjtën kohë, vijoi ai, presim që në fillim të muajit tetor të nisim hapjen e themeleve për ndërtimin e banesave kolektive, në Tiranë, Durrës, Krujë, Kavajë, Rrogozhinë dhe në të gjithë territorin e dëmtuar.
“Dua të siguroj qytetarët se ky proces është shembull në kohë e cilësi dhe një logjikë e re e zhvillimit urban, social e ekonomik të vendit”, tha Ahmetaj.