Donald Trump është i gatshëm të shpenzojë, nëse është e nevojshme, njëqind milionë dollarë nga pasuria e tij personale për t’u rizgjedhur President i Shteteve të Bashkuara Sipas ‘Bloomberg News, ky do të ishte një veprim i paparë për një president në detyrë dhe me sa duket këshilltarët e tij nuk janë në favor të kësaj strategjie financiare.
Në vitin 2016, Trump personalisht kontribuoi në fushatën e tij zgjedhore me 66 milionë dollarë. Për momentin Komiteti Kombëtar Republikan (RNC) deri më tani ka shpenzuar 800 milionë dollarë për rizgjedhjen e tij ndërsa Komiteti Kombëtar Demokratik (DNC) ka shpenzuar 414 milionë dollarë për rivalin Joe Biden.
Muaji gusht ishte veçanërisht produktiv për Joe Biden, i cili grumbulloi 365 milionë dollarë, krahasuar me 193 milionë dollarë të mbledhura në vitin 2008 nga kandidati presidencial i atëhershëm demokrat Barack Obama. Fushata e Donald Trump nuk ka publikuar ende shifrat e muajit gusht.