I ftuar në programin “Rudina” në Tv Klan, këtë pasdite ishte Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Në fund të muajit Korrik, përmes një postimi Veliaj bëri të ditur se ishte infektuar nga virusi, por fatmirësisht ia doli të fitojë betejën me Covid-19.
Kryetari i Bashkisë u shpreh se fillimisht djali kishte patur temperaturë, më pas bashkëshortja dhe pas disa ditësh edhe ai.
Pas kryerjes së testit, ata rezultuan të tre pozitivë dhe u karantinuan në shtëpi.
Erion Veliaj: Fillimisht djali kishte pak temperaturë, mjeku tha me gjasa do i dalin dhëmballët. Pastaj temperatura i zgjati shumë pak, dy ditë, edhe mesa duket ishte e vërtetë ajo që shkenca thotë që fëmijet e kalojnë lehtë dhe shpejtë. Pastaj pati Ajola pak temperaturë, po menduam një infeksion apo diçka. Pastaj më zuri dhe mua, por ishim me interval 3-4 ditë nga njëri-tjetrin dhe bëmë testin dhe zbuluam që ishim të tre të infektuar dhe në shtëpi. Ndonjëherë shumë prindër duke qenë se fëmijët i shikojnë si engjëj dhe engjëj janë, nuk dyshojnë. Pra askush nuk dyshon tek fëmijët e vetë. Duke qenë se jemi pa dyshim, ne në fakt harrojmë që ata e bëjnë pa vetëdije bartjen. Fëmijët janë akoma më të pafajshëm se luajnë me njëri-tjetrin, përqafohen, preken dhe padashje bartin sëmundjen.
Më tej, Veliaj shton se edhe për të që i merr gjërat me sportivitet dhe optimizëm, Covid ishte sfidues. Dhimbja e kockave, lodhje dhe temperatura që herë ulej dhe ngrihej ishin disa nga simptomat që Kryetari i Bashkisë ka patur gjatë asaj periudhe.
Erion Veliaj: U sigurova që isha super steril, u testuan rreth 100 njerëz që kisha patur afërsi, inspektime, vizita në zyrë, inspektime, emërtim rruge, një qokë ose ceremoni diku dhe në fakt zbuloj që i gjithë rrjeti ishte brenda familjes, kur mendonim që ishte vendi më i sigurt. Ndaj thirrja për njerëzit mos i neglizohoni, edhe për një tip si unë që në përgjithësi i merr gjërat me optimizëm dhe sportivitet ishte sfiduese. Në një moment ndihesha me dhimbjen e kockave, edhe unë edhe Ajola. Me atë temperaturën që nuk zbriste dhe bënte atë dhëmbët e sharrës zig-zag, njëherë lart, njëherë poshtë. Më shumë se një humbje e shijes ishte një lodhje dhe një këputje sikur po ngrije male, ndërkohë thjesht po pushoje në shtëpi dhe po ndjeje një dhimbje konstante të kockave dhe të muskujve.
Rudina Magjistari: Patët frikë në momentin e parë që mësuat që ishit me Covid?
Erion Veliaj: Jo, frikë jo. A pata dhimbje? Ishte një moment që vetëm djersija. Në dallim nga një grip normal që ka një kulm dhe pastaj fillon zbret, grafiku ishte pak si dhëmbët e sharrës. Pra ndihesh disa momente mirë dhe thua ia hodha, pastaj këputesh sikur të ka shtypur ai ruli i komunales. Kështu që e mora me sportivitet dhe humor, po zbulova disa gjëra Rudina, së pari zbulova shumë kolegë që e kishin dhe shumë njerëz të njohur.
Rudina Magjistari: Që nuk e kishin bërë publike apo jo?
Erion Veliaj: Që nuk e kishin bërë publike dhe thanë: O Lali me gjithë këto sulme që ke ti bravo çfarë kurajo që e the. Po unë nuk kam bërë as krim, as kam vrarë, as kam vjedhur. Ky është një grip i çuditshëm, se ende nuk i është gjetur çelësi, por nuk kam mëkatuar, nuk kam bërë ndonjë faj. Përkundrazi më mirë ta themi që ti bjerë stigma, se sa me stigmatizimin, a thua se ke bërë një mëkat dhe ke shkelur ligjin se të zuri Covid. Të zuri një grip që është më vështirë se të tjerat dhe ende duhet zbuluar deri në fund vaksina.