Super pasanikët janë më të pasur se kurrë, pavarësisht krizës globale të shkaktuar nga koronavirusi. Njeriu më i pasur në botë, është themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, i cili e ka shtuar pasurinë me 57%. Është kjo ajo që del në listën e pasanikëve të publikuara nga revista ‘Forbes’, nga ku rezulton se mesatarisht pasuria e pasanikëve, është rritur me 8%. Bezos, qëndron në krye të klasifikimit për të tretin vit me radhë, duke numëruar një pasuri prej 179 miliardë dollarësh, shifër kjo e përditësuar më 24 korrik.

Në vendin e dytë, renditet themeluesi i Microsoft, Bill Gates, me 111 miliardë dollarë, i ndjekur nga themeluesi i Facebook, Mark Zuckerberg, me 85 miliardë. Ndërkohë sipas ‘Forbes’ mes 400 njerëzve më të pasur në botë, është edhe Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili renditet i 339-ti, shkruan noa.al. Por Trump ka shënuar një rënie të ndjeshme të ardhurash, pasi numëron 2.5 miliardë dollarë pasuri në total. Në tetor të vitit 2016, një muaj para zgjedhjeve presidenciale Trump numëronte 3.7 miliardë dollarë, shumë e cila ka ardhur në rënie nga viti në vit.