Unaza e re rrugore që lidh zonën e Guracit deri në Doganën e Tushemisht, në Pogradec, është projekti i ri infrastrukturor Drilon–Tushemisht, me impakt në nxitjen e zhvillimin e turizmit dhe diversifiimin e ekonomisë lokale.

Qeveria shqiptare dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit po mbështesin rikonstruksionin e rrugës turistike dhe tregtare sipas standardeve më të mira, në qytetin e Pogradecit.

Kryetari i Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli i tha ATSH-së, “se projekti i mbështetur nga Fondi Shqiptaro Amerikan i Zhvillimit, me një financim prej 13 milionë euro, parashikon ndërtimin e një unazë që lidhet nga Guracin deri në Doganën e Tushemishtit”.

“Projekti fillon zbatimin në fund të shtatorit dhe ky investim vlerësohet me një impakt të rëndësishëm në nxitjen e turizmit dhe krijimin e mundësive reale për diversifikimin e tregtisë në një nga zonat më të rëndësishme të qytetit të Pogradecit”- u shpreh Xhakolli.

Rruga e re, pjesë e projektit Drilon–Tushemisht, kontribuon gjithashtu edhe në një lidhje më të mirë ndërkufitare me Maqedoninë, por edhe ndikon në largimin e trafikut nga Bregu i Liqenit. Projekti është i koordinuar hap pas hapi edhe me programet e Qeverisë “Rilindjen Urbane” dhe “Programin 100 fshatrat” për ta shndërruar këtë zonë në një model të një zhvillimi të qëndrueshëm.

Projekti për këtë aks të rëndësishëm turistik, në juglindje të vendit, parashikon rehabilitimin e të gjitha rrjeteve të infrastrukturës, ku përfshihen muret mbajtëse, shtresat ekzistuese, si dhe përmirësim të segmentit me elementë të tillë si korsi për biçikleta, shtigje për këmbësorë, ndriçimi, gjelbërimi, etj.

Investimi i vjen në shërbim të drejtpërdrejtë banorëve të zonës, por veçanërisht turizmit. Kjo, pasi për të vizituar parkun natyror në Drilon, automjetet përdorin rrugën paralele me liqenin e Ohrit, ndërkohë që bashkia e Pogradecit ka në plan ta transformojë këtë rrugë paralele në një rrugë për këmbësorë dhe të rehabilitojë segmentin e propozuar për të trajtuar trafikun e automjeteve.