Ministrja e Arsimit, Besa Shanini e ka kaluar ditën e parë të vitit të ri shkollor në gjimnazin “Shote Galica” në Fushë-Krujë.
Kjo shkollë do të mirëpresë nxënësit e 3 shkollave të dëmtuara nga tërmeti, “Sherif Dervishi”, “Bilaj” dhe “Mazhë e Vogël”, deri në rindërtimin e tyre. Ajo tha se gjatë takimit me nxënësit, ata kishin treguar shumë përgjegjshmëri për sa i përket masave të vendosura për të parandaluar përhapjen e COVID-it.
“Kalova mëngjesin nëpër shkollat që u hapen sot për herë të parë pas 6 muajsh. Ndalova në gjimnazin “Shote Galica” Fushë-Krujë, shkollë e cila ka marrë të gjitha masat e nevojshme në funksion të protokollove të sigurisë së ruajtjes së shëndetit. Gjimnazi është shkollë pritëse edhe për nxënësit e 3 shkollave të dëmtuara nga tërmeti, “Sherif Dervishi”, “Bilaj” dhe “Mazhë e Vogël”, deri në rindërtimin e tyre. Gjatë bashkëbisedimit me nxënësit, më erdhi shumë mirë ndërsa dëgjova prej tyre se janë plotësisht të ndërgjegjshëm mbi respektimin e masave anti-COVID, fakt i cili më ngroh që do ta përballojmë me sukses normalitetin e ri. I porosita nxënësit të mësojnë fort sivjet, të dalin me rezultate të mira, si dhe të dëshmojnë se përkundër sfidave, ne jemi të qëndrueshëm dhe do t’ia dalim më së miri”, shkruan Shahini.