Shtetet e Bashkuara thanë se nuk do të marrin pjesë në nismën globale për të zhvilluar, prodhuar dhe shpërndarë në mënyrë të barabartë një vaksinë për COVID-19n, sepse Organizata Botërore e Shëndetësisë po merr një rol kryesor në këto përpjekje.
Më shumë se 170 vende janë në bisedime për të marrë pjesë në projektin Covax, një nismë e përbashkët e ndërmarrë nga OBSH-ja, Koalicioni i Novacioneve për Gatishmërinë kundër Epidemive dhe Gavi, Aleanca e Vaksinave, e themeluar nga Bill dhe Melinda Gates për vaksinimin e fëmijëve në vendet më të varfra. Presidenti Donald Trump i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga OBSH-ja në korrik, me arsyen se kjo organizatë keqmenaxhoi shpërthimin e koronavirusit dhe iu nënshtrua vullnetit të Kinës, ku u zbulua për herë të parë virusi në fund të vitit të kaluar

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere tha në një deklaratë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të angazhojnë partnerët ndërkombëtarë për të siguruar mposhtjen e këtij virusi, “por ne nuk do të kufizohemi nga organizatat shumëpalëshe të ndikuara nga OBSH-ja e korruptuar dhe nga Kina”. Surie Moon, bashkë-drejtore e Qendrës Globale të Shëndetit në Institutin Pasuniversitar për Studimet dhe Zhvillimin Ndërkombëtar në Gjenevë, tha për gazetën Washington Post se kur Shtetet e Bashkuara të vendosin të mos “marrin pjesë në ndonjë lloj përpjekjeje shumëpalëshe për vaksinat, kjo është vërtet një goditje.” Administrata Trump ka filluar nismën e saj të vaksinës për koronavirusin, e quajtur Operacioni Warp Speed, që synon të prodhojë 300 milion doza të një vaksine të miratuar deri në janarin e ardhshëm. Në bazë të kësaj nisme një numri kompanish farmaceutike u janë shpërndarë miliarda dollarë për të zhvilluar, prodhuar dhe testuar një vaksinë të mundshme.

“Presidenti nuk do të kursejë asnjë shpenzim për të garantuar se çdo vaksinë e re do të ruajë standardin tonë të lartë të FDA-së (Administratës së Ushqimit dhe Barnave) për sigurinë dhe efikasitetin, do të testohet plotësisht dhe do të shpëtojë jetë,” tha zoti Deere në deklaratën e tij. Nisma e administratës Trump është një nga përpjekjet e shumta në të gjithë botën që synon futjen e shapejtë në funksionim të një vaksine për COVID-19n. Disa prej këtyre vaksinave të mundshme janë tashmë në fazën e vonë të provave me njerëz. Por komentet e fundit të bëra nga Dr. Stephen Hahn, komisioneri i FDA-së, se kjo agjenci do të shqyrtonte mundësinë e përdorimit për raste emergjence të një vaksine përpara përfundimit të provave me njerëz, ngritën shqetësime këto ditë midis zyrtarëve të OBSH-së. Dr. Soumya Swaminathan, shkencëtarja kryesore e OBSH-së, tha se lëshimi i një autorizimi të tillë “duhet të bëhet me një seriozitet dhe reflektim të madh. Nuk është diçka që mund ta bësh aq lehtë,” tha ajo.

Në një zhvillim tjetër, një komision ekspertësh qeveritarë të shëndetit thotë se nuk ka asnjë provë deri tani që plazma konvaleshente e gjakut të mund të shërbejë si një trajtim i efektshëm për pacientët me koronavirus për t’i ndihmuar ata të krijojnë imunitet. Plazma konvaleshente nxirret nga pacientët e shëruar nga koronavirusi dhe është e pasur me antitrupa. Më 23 gusht, FDA-ja miratoi një autorizim për përdorim në raste emergjence të plazmës konvaleshente, një vendim që Presidenti Trump e quajti “vërtet historik”. Por një grup prej më shumë se 30 ekspertësh në Institutet Kombëtare të Shëndetit në SHBA publikoi të martën një deklaratë ku thuhej se “janë të pamjaftueshme të dhënat për një rekomandim pro ose kundër përdorimit” të plazmës konvaleshente. Aty thuhej se mjekët nuk duhet të mbështeten tek përdorimi i saj si një kurë standarde pa u kryer studime të mëtejshme.