Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural njofton se Skema Kombëtare e Mbështetjes për Bujqësinë 2020, Masa 4: Mbjellje bimësh mjekësore dhe aromatike, ka përfshirë në fond subvencionimi edhe 127 aplikantë të tjerë, duke e çuar në 269 numrin e përgjithshëm të fermerëve, nga 142 përfitues që ishin parashikuar në listën e përditësuar në qershor 2020.
Sipas AZHBR-së, në masën e katërt “Bimë medicinale dhe aromatike” aplikantët ishin 480 dhe përfitues potencialë të kualifikuar janë 269 fermerë.
Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2020 ofron subvencionin për mbjellje bimësh mjekësore e aromatike në vlerën 200 000 lekë/ha, por jo më shumë se 1 000 000 lekë për fermerët individualë dhe për grup fermerësh. Ndërsa për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor (SHBB), jo më shumë se 4 000 000 lekë.
“Sipërfaqja e mbjellë për fermerët individualë duhet të jetë jo më pak se 0,2 ha, për grup fermerësh, jo më pak se 1 ha në një bllok të vetëm, për SHBB-të, jo më pak se 5 ha. Madhësia e ngastrës të jetë jo më pak se 0,2 ha, kur nuk është në bllok”, bën të ditur AZHBR-ja.
AZHBR ka bërë me dije se të gjithë subjektet që kanë aplikuar dhe janë sipër vijës së kualifikimit duhet të shohin statusin e tyre dhe nëse kanë nevoje që të paraqesin dokumente shtesë pranë agjencisë. Në çdo rast nëse konstatohet diçka e tillë afati për dorëzimin është data 18 shtator 2020.