Zv.minsitri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimo Kote u shpreh për ATSH-në se, “Skema Kombëtare e mbështetjes për Bujqësinë do të subvencionojë me prioritet blegtorinë edhe për tre vitet e tjera në vijim”.
“Qëllimi ynë është që të ndihmojmë fermerët, të rriten vit pas viti në mënyrë që të ketë një zhvillim të qëndrueshëm edhe të sektorit të blegtorisë, i cili nuk është ende në nivelin e bujqësisë, për vetë natyrën vështirë që është ky sektor”- tha Kote.
Sipas tij, Skema Kombëtare e këtij viti e fokusoi financimin më të madh nga buxheti i shtetit në rreth 70% të totalit për blegtorinë, me qëllim që krijojmë një moment të ri të ngritjes së këtij sektori.
Në rang vendi këtë vit kanë përfituar mbështetje me subvencione rreth 5 mijë fermerë. Subvencionet këtë vit, për fermat me jo më pak se 70 krerë dele ose dhi, ishin në vlerën 1 200 lekë të reja për krerë. Ndërsa për fermat me jo më pak se 5 krerë lopë, ishin në vlerën 10 mijë lekë të reja për krerë. Fermerët i bënë aplikimet online përmes portalit e-Albania me zero dokumente.
Në sektorin e blegtorisë vitet e fundit janë krijuar fermat e mëdha blegtorale të cilat janë të organizuara si biznese dhe mbështetja me subvencione synon t’i forcojë këto sipërmarrje në zhvillimin e mëtejshëm të blegtorisë në vendin tonë.