Ministrja e Shtetit dhe zëdhënëse e qeverisë, Elisa Spiropali u shpreh sot në një intervistë për Report TV se Partia Socialiste do të marrë mandatin e tretë në zgjedhjet e 25 prillit.

“Një mandat të tretë me Ramën kryeministër, jo si qëllim, por premtim për të realizuar projektet e nisura dhe për ta integruar vendin në BE. Ne garojmë jo vetëm me premtime, por rendisim dhe punët e kryera. E kemi dëshmuar edhe në kohët më të vështira si tërmeti ashtu edhe pandemia që pasoi. Nuk ka qenë një periudhë e lehtë dhe çdo qeveri që përballet me tragjedi të tilla, ka problematika, ka dhe humbje vendesh pune apo ekonomike. Ama një qeveri që i është gjendur qytetarëve që në ditën e parë, me një reagim të mirë menduar dhe planifikuar. Nuk do e përfytyroja se si do kishte shkuar kjo punë nëse do ishit në qeveri ata që nuk dhanë shpërblimet e përmbytjeve, madje dilnin triumfues me gënjeshtra”, tha Spiropali.

Spiropali e cilësoi Bashën një humbës që pret që rotacioni t’i vijë nga qielli, ndërsa mirëpriti krijimin e partive të reja që priten të themelohen nga Rudina Hajdarin apo Myslim Murrizi.

“Lulzim Basha ka vite që ka vënë shishen e qumështit në radhë dhe lutet për rotacion. Kjo nuk është çështje rotacioni që bie nga qielli, por çështje lidershipi. Ai është humbës kronik dhe nuk ka qytetar që kërkon këtë gjë përballë alternativë së ndryshimit dhe modernizimit. Për partitë e tjera nuk kam pse paragjykoj dhe çdo forcë e re është e mirëpritur të luajë sipas rregullave të lojës. Në fund ja sheshi dhe ja mejdani. Le të përballemi”, tha Spiropali për Report Tv.