Kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj dhe njëherësh drejtuesi për Tiranën i PS-së për fushatën zgjedhore ka thënë se PS nuk pret vitin elektoral për të mbajtur premtimet që ka bërë, por i përvishet punëve që t’i realizojë sa më parë. Në një lidhje direkte me Report Tv, Veliaj tha se disa nga sfidat që PS ka në këtë periudhë lidhet me procesin e rindërtimit ku do të hyjnë në shtëpi 1000 familjet e para brenda këtij viti dhe nisja e ndërtimit të dy lagjeve të reja në Tiranë.

“PS është një nga partitë më të disiplinuara dhe nuk besojmë se fushata është bixhoz, ne besojmë në një parti që i fillon punët mbarë dhe bën një llogaritje të punëve që janë bërë, të kritikave dhe parregullsive. Është më mirë ne takohemi dhe se si ecin punët. Disa bashki kanë në fokus rindërtimit dhe disa sapo kanë dalë nga një sezon turistik nga më të çuditshmit për shkak të pandemisë. Pra i jemi përveshur punës për të fituar mandatin e tretë”, tha Veliaj.

Veliaj tregoi dhe prioritetet e tij është procesi i rindërtimit ku brenda dhjetorit të këtij do të dorëzohen çelësat e 1000 shtëpive të para individuale, ndërsa po brenda këtij viti do të nis ndërtimi i dy lagjeve ai te 5 maji dhe në Kombinat.

“Çështje rindërtimit është parësore për ne, kemi në proces 1000 shtëpi private individuale, ku familjet do të futen në shtëpi para viti të ri, nuk do kalojmë në vit elektoral për ta mbajtur këtë premtim. Sfida e dytë ka të bëjë me hedhjen e themeleve për lagjet e reja tek 5 maji dhe në Kombinat dhe këtë do e bëjmë tani jo në vit elektoral apo ditë fushate. Gjithashtu do të kemi shumë shpejt miratimin e qindrave pagesa kesh dhe bonuse për qytetarët që kanë plotësuar dokumentet dhe do miratohen nga Këshilli Bashkiak‘, tha Veliaj.

Në lidhje me pandeminë dhe tërmetin, Veliaj tha se qeveria tregoi më së miri se ishte e aftë ta përballonte, pasi ajo nuk ka në dorë fenomene natyrore, por mënyrën si reagon dhe sipas tij rezultati është parë.

“Nëse do të ishim në një situatë ku shpërtheu Gërdeci apo do të vrisnim protestues në bulevard padyshim që do të ishim shumë keq, por pandemia dhe tërmeti nuk i shkaktuam ne. Qeveria ka në dorë si reagon dhe nëse flasim për reagimin për tërmetin ne kemi filluar të japim çelësat e parë të shtëpive të para. Sfida për një politikan dhe drejtues nuk është se çfarë mund të bëjë për gjëra që si ka në dorë, por si reagon për këtë”, tha Veliaj.