Llapi – Ballkani është ndeshja kryesore e xhiros së katërt të Superligës. Llapjanët janë në kërkim të fitores së parë, therandasit duan ta ruajnë kreun e tabelës
Superliga e futbollit vazhdon me orar të stërngjeshur. Kampionati kosovar i futbollit vazhdon me ndeshjet e xhiros së katërt këtë mesjavë, e cila u hap me ndeshjen Arbëria – Feronikeli, që përfundoi baras, 0:0.
Pa dyshim, përballja kryesore do të jetë ajo në mes të Llapit dhe Ballkanit, që do të luhet të mërkurën. Llapjanët janë në kërkim të fitores së parë, pas dy humbjeve të pësuara. Kurse, therandasit do të tentojnë të mbesin në krye të tabelës. Ndërkohë, tri pikë këtë xhiro i kërkon edhe Prishtina, e cila do ta vizitojë Trepçën ’89.
Mirëpo, mitrovicasit do t’i hyjnë kësaj loje të motivuar pas fitores kundër Llapit.
Kurse, të enjten, Drenica e motivuar pas barazimit me Feronikelin, do ta presë Gjilanin. Të dyja ekipet janë në kërkim të fitores së dytë sezonale. Edhe Drita synon ta nisë me këmbë të mbarë edicionin e ri me ndeshjen që do të luajë me Besën në shtëpi.