Shumë shtete janë duke kryer tamponët për të gjithë personat që futen në territorin e tyre, të tjerë mjaftohen vetëm me matjen e temperaturës, ndërsa në Finlandë po përdorin edhe qentë për ta bërë një gjë të tillë. Qentë e trajnuar për të zbuluar Covid-19 kanë nisur këtë javë të nuhasin pasagjerët si pjesë e një testi në aeroportin “Vantaa” të Helsinkit.
Një ekip vullnetarësh po trajnojnë një grup prej 15 qensh për këtë program. “Qentë janë të aftë të nuhasin koronavirusin te njerëzit pesë ditë para se ata të shfaqin simptoma”, ka thënë për Reuters, Anna Hielm-Bjorkman, profesoreshë në Universitetin e Helsinkit, e cila është drejtuese e këtij testi. “Ata janë shumë të aftë në zbulimin e koronavirusit. Janë shumë afër zbulimit 100% të koronavirusit”, ka thënë Anna Hielm-Bjorkman.
Pasagjerët fshijnë qafën e tyre me një rrobë dhe më pas ajo nuhatet nga qeni. Ky test realizohet brenda një minute. Megjithatë, kjo metodë në Finlandë mbetet në fazën e testimit dhe të gjithë personat kryejnë edhe tamponin.