Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se janë përcaktuar procedurat që duhet të ndjekë secili tatimpagues, për heqjen e gjobave të vendosura për mospagim të kësteve paraprake të Tatimit mbi Fitimin periudhës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore për shkak të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19.

“Tatimpaguesit, të cilët i kanë paguar tashmë gjobat e vendosura, do të kenë mundësi që shumën e paguar ta përdorin për pagesën e detyrimeve tatimore të mëvonshme”- njofton DPT.

Sipas DPT, në vijim të masave të marra për zbatimin e lehtësive fiskale për tatimpaguesit, gjatë situatës së emergjencës COVID-19, Administrata Tatimore njofton se janë përcaktuar procedurat e nevojshme për heqjen e gjobave të vendosura për shkak të mospagimit në afat të kësteve paraprake të Tatimit mbi Fitimin për 3-mujorin e parë 2020, të cilat janë llogaritur dhe kontabilizuar gjatë muajve Prill – Qershor 2020, periudhë e cila korrespondon me gjendjen së fatkeqësisë natyrore të shpallur me VKM “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, i ndryshuar”.

“Drejtoritë Rajonale Tatimore do të vijojnë me zbatimin e procedurave përkatëse dhe tatimpaguesit do të njoftohen në llogarinë e tyre të deklarimit elektronik, e-filing.”- njoftojnë Tatimet.