Të hënën pasdite (ora 18.00) rikthehet tryeza e negociatorëve politik te cilët do duhet te reflektojnë ndryshimet kushtetuese ne ligjin e ri zgjedhor.
I mandatuari i mazhorancës Damian Gjiknuri ftoi dy opozitat te ulen përballe per te arritur nje konsensus për hapjen listave dhe formulën e re te koalicioneve.
PD-LSI konfirmuan pjesëmarrjen, por ne tryezën politike pritet te shkojnë me një kusht, mos prekjen e koalicioneve parazgjedhore ndërsa për listat opozita jo parlamentare është e hapur për arritjen e një konsensusi me shumicën parlamentare.
Tryeza e katërshes politike do paraprihet nga një mbledhje e komisionit parlamentar të ligjeve të hënën e 14 shtatorit ku pritet te miratohet krijimi i një grupi pune për reflektimin e ndryshimeve kushtetuese, pasi komisionit të posacëm të reformës zgjedhore i ka përfunduar mandati. Me zgjedhjet parlamentare ne prag aktorët politik duhet të nxitojnë për të miratuar rregullat e reja të garës elektorale pasi këtë vit shqiptarët do i drejtohen me shpejt kutive te votimit.
Për herë të parë, do të votohet jo vetëm për partitë por edhe për kandidat, ndaj si mazhoranca ashtu edhe opozita brenda dhe jashtë parlamentit duhet te vendosin si dhe sa do te hapen listat, sa kandidat do këtë ne fletën e votimit, si do te shpërndahen mandatet për secilën zonë zgjedhore e po ashtu edhe për temën me të nxehtë të tryezës politike, koalicionet parazgjedhore. Socialistët ofrojnë si zgjedhje grupimin e opozitës në një liste të përbashkët, por kjo për opozitën jo parlamentare është pike e pashpjegueshme.