Teuta dhe Kukësi kanë zyrtarizuar dy lojtarë të rinj. Durrsakët kanë bërë një afrim shumë të goditur në mbrojtje, pasi kanë firmosur me Denis Pjeshken. Mbrojtësi ishte i lirë që pas largimit nga Flamurtari dhe firmosi me ekipin e trajnerit Edi Martini. “Denis Pjeshka është zyrtarisht pjesë e Teutës. Mbrojtësi 25 vjeçar nga Shkodra ka firmosur kontratë profesionale me Teutën dhe lojtari është prezantuar në zyrat e stadiumit “Niko Dovana” nën praninë e shefit të klubit Enid Furxhi. “Menjëherë pas zyrtarizimit Pjeshka do të fillojë stërvitje me pjesën tjetër të skuadrës me seancën stërvitore të caktuar sot në orën 16-00. ➡️ KF Teuta i uron shumë suksese mbrojtësit Denis Pjeshka! Mirësevjen Denis”, – shkruhet në deklaratën e klubit.

Kukësi në krahun tjetër ka afruar një mbrojtës 19-vjeçar. Ekipi verilindor ka gjetur marrëveshjen me një futbollist të ri. Trajneri Skënder Gega do ta ketë në skuadër lojtarin e ri. “Altin Bytyçi është zyrtarisht futbollist i Kukësit! Mbrojtësi 19-vjeçar ka firmosur sot kontratën 3-vjeçare me skuadrën tonë, duke u rikthyer edhe një herë tjetër.

“Bytyçi është një prodhim i akademisë sonë duke qenë pjesë e ekipit të moshave. Më pas, u largua për të firmosur me Laçin. Pas Laçit, Bytyçi ka provuar veten me Besën e Pejës, por edhe në kampionatin kroat me Medjimurjen! Krahas klubeve, 19-vjeçari është edhe pjesë e Kosovës U19!”, – tha ai.