Rreth 5 mijë turistë shijuan gjatë muajit gusht natyrën e bukur, ajrin e freskët dhe ushqimet bio të zonës së Thethit, 70 km larg Shkodrës. I cilësuar si një magji turistike Thethi po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj. Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Shkodër, Agim Dardha tha për ATSH-në se gjatë muajit gusht Thethi pati një rritje të numrit të turistëve, ku gjatë ditëve ka patur rreth 200 turistë në ditë, ndërsa në fundjavë mbi 500 turistë që vijnë për të parë nga afër bukuritë natyrore të Thethit”.

Sipas tij, pjesa më e madhe e turistëve është vendas, ndërsa nga turistët e huaj kanë qenë francezë, polakë, çekë, si dhe një numër i lartë nga Kosova. Ndër pikat më të vizituara nga turistët janë Shtegu Theth-Valbonë, Theth-Pejë, ujëvara, kanioni, Syri i Kaltër, Shpella e Arapit, Shtegu i Bjeshkëve të Namuna etj. Thethi gjendet në mes të Alpeve në veri të Shqipërisë, 70 km nga qyteti i Shkodrës, i mbrojtur nga tre malet, Radohima, Sheniku, Papluku, me lartësi mbi 2500 m mbi nivelin e detit. Lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të këtyre alpeve, ndodhet 750 deri 950 m mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 2630 hektarësh.

Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. Thethi është i vizitueshëm në katër stinët, ku në pranverë dhe verë për gjelbërimin e rrallë, në dimër për bardhësinë e dëborës dhe për lojërat aventureske me të, ndërsa vjeshta për ngjyrat mahnitëse dhe begatinë në frutikulturë.