Modelja e njohur Xhesika Kadiu ka shkruar për herë të parë publikisht për lidhjen e saj me Robert Berishën, duke kërkuar që ata të bashkohen sërish ndërsa i është adresuar edhe fjalëve se ajo ka qenë shkaktare që Nora dhe Roberti i kanë dhënë fund martesës. Ajo tha se kishte qenë në lidhje me Robert Berishën, duke ngritur kështu spekulime të mëdha rreth lidhjes së tyre dhe ndikimit që kjo lidhje pati në martesën e Robertit dhe Norës. Xhesika shkoi aq larg, duke thënë se dëshiron që ata të bashkohen sërish dhe se do vazhdojë ta dojë Robertin përgjithmonë.
“Po, është e vërtetë që kam qenë në lidhje me Robert Berishën. Nuk e kuptoj pse gjërat duhet fshehur thua se po bëjmë krim. Personalisht mendoj që ka një dallim të madh mes të mbajturit një gjë private dhe të mbajturit një gjë sekrete. Jam totalisht dakord që lidhjen të mbahet private, po nuk mund të qëndroj në lidhje me dikë që më mban sekret. Njerëzit gjithnjë do të paragjykojnë dhe të kërkojnë dikë për të fajësuar. Është diçka që nuk mund të ndalet. Fytyrat publike harrojnë që edhe ata janë njerëz, kanë nevojë për dashuri dhe bëjnë gabime si çdo kush tjetër.
Ne kemi një jetë për të jetuar. E nesërmja nuk na premtohet, kështu që unë nuk mund të jetoj një gënjeshtër. Ndoshta jam gabim për këtë por nuk më bëhet vonë. Ne të gjithë mësojmë nga gabimet tona. Jam kjo që jam dhe nuk kam asgjë për të fshehur. Robert, të falënderoj shumë për gjithçka që me kë dhënë këtë vit që shkoi, dhe do doja që gjërat të ishin ndryshe për ne.
Ky stil jete shkatërron shumë gjëra të mëdha dhe kënaqësi të jetës. Shpresoj që një ditë gjërat do të ndryshojnë dhe ne mund të jemi bashkë përsëri. Edhe nëse nuk do të jemi, përsëri dëshiroj më të mirën për ty. Të dua tani dhe përgjithmonë”, ka shkruar modelja. ”Doja të bëja të qartë diçka që të mos ketë vend për paragjykime. Unë nuk prisha një martesë. Nuk prisha një familje. Lidhja ime me Robertin filloi shumë kohë pasi ai dhe gruaja e tij u ndanë. Unë jam rritur në një familje të bukur, me moral, respekt dhe më ka mësuar të ndaj të mirën nga e keqja. Kështu që para se të paragjykoni, kuptoni që këtë situatë që askush nga ju s’do e kuptojë, por ju kërkoj të mendoni para se të flisni apo të bëni akuza fallco”, shkruan Xhesika.