Blerim Destani është një nga aktorët më të talentuar shqiptar, i cili ka korrur sukses të paparë jashtë kufijve shqiptarë duke u bërë i njohur sidomos në perëndim. Dy vite më parë ai na bëri të gjithëve krenarë, me rolin në ‘The Poison Rose’ ku u shfaq përkrah dy aktorëve me famë botërore John Travolta dhe Morgan Freeman. Pas kësaj, ishim të bindur se shkallët e suksesit për 39-vjeçarin do ishin në ngjitje teksa ai na ngriti zemrat peshë në dhjetor të 2019.
Në një foto të publikuar në Instagram, ai shfaqej me Robert De Niron duke bërë shqiponjën, gjesti simbolik shqiptar, gjatë xhirimeve të filmit “The comeback Trail”, duke na konfirmuar se do luajë krah tij. Së fundmi, Blerimi ka publikuar në rrjetet sociale trailerin e filmit, pjesë e të cilit përveç De Niros do jetë edhe Tommy Lee Jones dhe Morgan Freeman.
“The comeback trail” është shkruar dhe drejtuar nga George Gallo dhe vjen si remake i filmit me të njëjtin emër të vitit 1982 nga Harry Hurwitz. Projekti u njoftua në maj të vitit 2019, teksa xhirimet filluan në fillim të qershorit të 2019 dhe vazhduan deri në korrik në New Mexico. Filmi është planifikuar të dalë në treg më 13 nëntor 2020.