Ditën e sotme, Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi të dhënat për rritjen ekonomike për tremujorin e dytë të vitit, i cili përkon edhe me muajt e mbylljes së karantinës. Sipas të dhënave, në këtë semestër, rritja ekonomike krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit paraardhës është -10.2%. Përsa i përket konsumit final të popullatës, rënia e regjistruar është prej 7.5%. Kjo rënie ekonomike i detyrohet disa faktorëve, mbylljes së 40% të bizneseve në vend në periudhën mars-qershor, kufizimit të lëvizjes (përfshi turizmi), si dhe reduktimit të fuqisë blerë të 100 mijë punonjësve të mbështetur me pagë nga shteti gjatë tremujorit. Në krahasim me rajonin, tkurrja mbetet më e ulët se në Mal të Zi (20.2%), Maqedoninë e Veriut (12.7%) dhe në një linjë me vende të rajonit si Serbia e Bullgaria (rreth 10%). Italia, partneri më i madh tregtar i Shqipërisë gjatë këtij tremujori pësoi një rënie prej 17,1% (mesatarja e zonës euro -15%).
Pavarësisht tkurrjes së një numri sektorësh për arsye lehtësisht të kuptueshme, disa aktivitete si bujqësia, energjia, pasuria e paluajtshme kanë pasur një impakt pozitiv në ekonomi duke shënuar rritje. Skenarët negativë në fillim të karantinës flisnin për një rënie vjetore mbi 10%, papunësi mbi 100 mijë persona dhe një dëm nga i cili do të duheshin të paktën 5 vjet për t’u rikuperuar. Megjithatë, pas karantinës, vetëm 33 mijë persona humbën vendin e punës përfundimisht. 20 mijë prej tyre janë ripunësuar dhe për 13 mijë të mbeturit është miratuar një program që synon ripunësim të shpejtë. Lajmi i mirë është se rënia ekonomike vjetore, jo vetëm që nuk do të shkojë në mbi 10%, por si rezultat i përmirësimit të gjashtëmujorit të dytë të vitit llogaritet të përmbahet në rreth -4%.
Rikuperimi ekonomik do të ndodhë jo për disa vjet, por që në 2021, kur rritja ekonomike e parashikuar nga Banka Botërore pritet të jetë në nivelin e 9-10%, e mundësisht edhe më e lartë. Specifikisht, bujqësia pritet të rritet mesatarisht me rreth 1.3 përqind në vit në terma real përgjatë periudhës 2021-2023. Industria me një rritje mesatare vjetore prej rreth 5.2 përqind në të njëjtën periudhë. Ndërtimi me rritje mesatare vjetore prej rreth 3.6 përqind në tre vitet e ardhshme Shërbimet me një rritje mesatare vjetore prej rreth 5.7%. Kjo bën që nga 2021, papunësia në vend të vazhdojë të zbresë nën rekordin e 11.2% të muajit shkurt (muaji i fundit përpara pandemisë), njëkohësisht rekord pozitiv për rajonin dhe norma më e ulët ndonjëherë në Shqipëri. Në harkun e tre viteve, parashikimet për papunësinë flasin për një reduktim deri në nivelin e 8%, në mesataren e vendeve të Bashkimit Europian.