Presidenti Donald Trump ka minimizuar edhe një herë shqetësimet për ndryshimet e klimës dhe e ka bërë këtë gjatë vizitës në Kaliforninë e shkrumbuar nga zjarret, duke i thënë një zyrtari se shumë shpejt do të fillojë të freskohet moti.
Zjarret në Kaliforni, Oregon dhe Uashington, kanë shkrumbuar thuajse 2 milionë hektarë tokë dhe i kanë marrë jetën të paktën 36 personave që nga fillimi i gushtit. Trump, që shpesh ka mohuar ndryshimet e klimës, fajëson menaxhimin e mangët të pyjeve. Më herët të hënën, kandidati presidencial demokrat, Joe Biden, e quajti Trump një piroman klimaterik. Ai tha në një tubim në Delauer se katër vite të tjera të kundërshtarit të tij në Shtëpinë e Bardhë do ta shkrumbonin akoma më shumë Amerikën.
Por, gjatë vizitës së tij në brigjet perëndimore amerikane, Trump përsëriti argumentin e tij se menaxhimi i keq i pyjeve ishte fajtor. Duke hedhur poshtë apelin e një zyrtari për të mos injoruar shkencën për ndryshimet e klimës, Trump tha: Do të fillojë të freskohet. Thjeshtë prit edhe pak. Nuk mendoj se shkenca merr vesh shumë”. I pyetur nga një gazetar nëse ndryshimi i klimës ishte një faktor në zjarret masive, Trump tha: Unë mendoj se kjo është më shumë një situatë menaxhimi. Më herët presidenti e ka kritikuar menaxhimin e pyjeve në Kaliforni duke marrë si tregues Finlandën ku ai tha se shkriftohet toka dhe pastrohen pyjet për të parandaluar zjarret.