Pavarësisht pandemisë, Bashkia e Tiranës ka vijuar punën për ndërtimin e shkollave të reja para kohe. Në intervistën për ABC News, Veliaj listoi edhe listën e shkollave që do të jenë të gatshme për të nisur procesin mësimor dhe për të lehtësuar procesin mësimor.
“Ne kemi hapur disa shkolla të reja këtë vit për të lehtësuar shkollat me dy turne që që më përpara ishin me dy turne për çështje kapaciteti, tashmë janë me dy turne për çështje distance. Në Tiranë është hapur shkolla “1 Qershori” dhe “Jeronim de Rada” që ka ulur ndjeshëm presionin në shkollat ngjitur, ndërkohë që në Tiranën rurale kemi hapur disa shkolla. Kemi marrë me qira shkollën në Pezë Helmës, shkollën Kajtazi, derisa të bëhet shkolla e re. Kemi mbaruar shkollën e Lalmit dhe Allgjatës dhe Sharrës që ishin shkolla që ishin në proces rikonstruksioni. Besoj që deri në simestrin e dytë, pra fillimin e vitit tjetër ne do të kemi të gatshme dhe disa nga shkollat e reja që bëhen në Don Bosko apo Kodër Kamëz që të fillojmë pa filluar vitin e ri shkollor, një ulje të presionit në këto shkolla”, tha Veliaj.
Ai siguroi se gjatë kësaj kohe Bashkia ka marrë të gjithë masat për vitin e ri arsimor dhe masat shtesë të higjienës në këtë kohë pandemie . “Ne kemi një ndërmarrje e cila merret jo vetëm me mish e shpirt me këtë punë dhe ky ka qenë një ndër vitet më spartane të menaxhimit të shkollave. Paniku dhe histeria nuk zgjidhin asnjë problem. Kur një saraçineskë bllokohet, një depozitë ka nevojë që të pastrohet, kur mbaron një detergjent mjafton të bëhet një njoftim dhe menjëherë vjen një brigadë . Njoftohet drejtoria përkatëse që është ndërmarrja jonë e menaxhimit të ndërtesave publike. Çdo drejtori e di si funksionon”, tha Veliaj