Skuadra saudite e Al Hilal, kampione në fuqi e Azisë në Champions League, është eliminuar në tavolinë nga organizatorët e këtij turneu. Kjo për shkak të koronavirus.
Ekipi ka në radhët e tij 31 persona pozitivë me Covid-19, futbollistë dhe staf, dhe në ndeshjen ndaj Al Ahli, që do të luhej në Dubai, u paraqit me vetëm 11 lojtarë (mes të cilëve dy ishin portierët rezërvë). Ky numër është nën limitin e kërkuar për një ndeshje zyrtare, 13.

Ndaj, sipas rregullores, Federata Aziatike e Futbollit ka përjashtuar ekipin e Al Hilal nga turneu, duke fshirë të gjitha rezultatet e këtij sezoni në Champions League (vendi i parë në Grupin B dhe kualifikim në fazën me eliminim direkt).

“Ky është një skandal. Ne jemi kualifikuar për në fazën me eliminim direkt, mund të luanim edhe me 9 lojtarë. Por kjo është politikë, nuk na duan. Është një nga padrejtësitë më të mëdha në futbollin botëror”, tha Razvan Lucescu, trajneri i Al Hilal.