Fillimin e vitit të ri shkollor dy javë me vonesë, Lëvizja Vetëvendosje po ia atribuon si paaftësi dhe pazotësi qeverisë Hoti. Kjo parti opozitare ka akuzuar ekzekutivin se nuk ka bërë planifikimin e duhur për procesin mësimor dhe se ka krijuar huti tek nxënësit, mësimdhënësit dhe vet prindërit. Për gjitha këto, partia e Albin Kurtit ka thirrur në interpelancë ministrin e Arsimit, Ramë Likaj.
Deputeti i Vetëvendosjes, Fitim Uka përmes një konference për medie, sot tha fillimi i mësimit nuk është jo i zakonshëm vetëm për shkak të pandemisë, por edhe pazotësisë të qeverisë Hoti. “Jo vetëm për shkak të pandemisë, por edhe shkak të paaftësisë dhe pazotësisë së kësaj qeverisje që të nis mbarë dhe me kohë vitin e ri shkollor”, tha ai.
Deputeti opozitar akuzoi kryeministrin Hoti edhe për përurimin e sotëm të një objekti shkollor. Sipas tij, ai i ka shkelur të gjitha rekomandimet e IKShP-së. Ndërkaq, u shpreh se premtimi që do monitorohej me kujdes inspektimi këtyre rekomandimeve është premtim i rrejshëm.
“Ekzistojnë shkolla gjendej Kosovës që nuk i plotësojnë as kriteret minimale të IKShP-së për mbarëvajtjen e mësimit. Nuk i kanë as kushtet higjienike dhe disa prej tyre kanë probleme edhe me ujin e pijshëm. Por edhe në këtë ditë, kryeministri ilegal ka zgjedhur që të përuroi objekte të reja shkollore duke shkelur të gjitha rekomandimet e Institutit. Ndërkaq premtimi që do të monitorohej me kujdes respektimi i rekomandimeve në shkolla është një tjetër premtim i rrejshëm dhe kjo falë mediave që edhe sot kanë treguar dhjetëra raste që nxënësit nuk kanë respektuar ato rekomandime. Kësisoj duke rrezikuar shëndetin e tyre dhe të familjeve”, u shpreh ai.
Derisa renditi disa prej arsyeve se pse qeveria Hoti ka dështuar në fillimin e ri shkollor. “Sinajli i parë dhe më i rëndësishëm, për të mos thënë edhe vula që kjo qeverisje nuk e ka prioritet arsimin dhe nuk është serioze në këtë drejtim ka qenë shkurtimi i buxhetit për arsim. Në kohën e pandemisë kur do të duhej të investohej edhe më shumë në fushën e arsimit dhe mundësohej një proces mësimor normal, kjo qeverisje shkurtoi për 12,5 milionë euro buxhetin e arsimit”, u shpreh Uka. Sot ka nisur faza e parë e vitit të ri shkollor, derisa faza e dytë do të nis me 21 shtator.