70 mijë fermerë të regjistruar me NIPT, me rreth 120 mijë ha tokë bujqësore përfitojnë 7 mijë ton naftë dhe karburant falas pa akcizë dhe pa taksën e karbonit dhe qarkullimit. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se, çdo fermer tërheq me kartë 55 litra karburant falas, me 0 detyrime fiskale, për çdo hektarë tokë bujqësore që punon.
Programi i qeverisë për naftë falas për fermerët, funksionon me një mesatare të përllogaritur të konsumit të traktorit dhe mjeteve të tjera të rënda për punimin e një hektari tokë sipas secilës kulturë të mbjellë. Në sasinë e konsumuar, shteti lehtëson për fermerët barrën e akcizës, taksën e qarkullimit dhe taksën e karbonit, një lehtësim prej pothuajse 70 lekësh për litër. Karta e fermerit për tërheqjen e karburantit do të jetë e vlefshme në të gjitha ose një pjesë të pikave të karburantit për të cilën po punohet për t’u përcaktuar, ku fermerët do të munden të tërheqin në moment sasinë e tyre të naftës falas.
Sa i përket aplikimit ai do të jetë falas dhe në kohë reale përmes një formulari që plotësohet elektronikisht në e-Albania. Për vitin e parë, efekti në buxhet e shtetit si rezultat i kësaj nisme të qeverisë llogaritet në 1 miliard lekë ose 10 milionë usd. Në parashikimet e qeverisë, programi i naftës falas do të shërbejë për rritjen e prodhimit, të ardhurave në ekonominë rurale, njëkohësisht synon formalizimin e sektorit, për të rritur eksportet dhe për të identifikuar më mirë nevojat dhe fermat që do të mbështeten me subvencione në vitet në vijim.