Nga Plator Nesturi
Diçka më shumë se 200 ditë përpara se të zhvillohen zgjedhjet e 25 prillit, mund të thuhet se motorët për fushatën po ndizen. Veçse jo në mënyrë njëkohshme dhe jo me të njëjtin intensitet. Në javët e kaluara, më tepër sesa nisja e betejës në terren për t’iu drejtuar qytetarit, të cilit do t’i kërkohet vota, beteja politike, në fakt, është zhvilluar rreth tryezës së Këshillit Politik. Aq sa mund të thuhet se vëmendja kryesore nuk ka qenë më së shumti te Kodi Zgjedhor, çka ishte referenca e Këshillit Politik, sesa te piruetat e lëvizjeve dhe qëndrimeve që më së shumti u shërbejnë raporteve me kundërshtarët apo me aleatët e koalicionit.
Vetë dashuria e beftë për lista të hapura e dy partive të mëdha, thjesht po mban në suspancë dialogun, po shkurton kohën efektive për fushatën elektorale, por dhe po tremb deri në tkurrje aleatët më të vegjël të koalicioneve. Që tani në kampin opozitar, krerët e partive më të vogla, në kushtet e heqjes së mundësisë së koalicioneve parazgjedhore, po e shohin shpresën e përfaqësimit vetëm te shtimi në listën e partisë më të madhe të emrit të tyre. Të tjerëve, siç është rasti i LSI-së, nuk u mbetet tjetër veç të shohin për së largu lojën e më të mëdhenjve, pa e fshehur pakënaqësinë dhe frikën se këto manovra mund të jenë një mënyrë për të tkurrur përfaqësimin e tyre në Parlament, por dhe peshën specifike politike për të ardhmen. Sidoqoftë, jo gjithçka sillet rrotull vetëm Këshillit Politik. Fushata elektorale tashmë ka filluar, por jo në mënyrë të njëkohshme.
PS-ja është hedhur në terren dhe po merret jo vetëm me organizimin e strukturave partiake që do të jenë përgjegjëse për fushatën, por po kryen dhe takime direkte me elektoratin. Pavarësisht se takimet kryhen nën siglat e një investimi, rregullimi të shtëpive nga tërmeti apo lançimit të ndonjë projekti qeveritar, në thelb ato janë në funksion të zgjedhjeve të ardhshme. Mesazhi është i qartë: ne punojmë dhe meritojmë një sfidë të tretë. Për më tepër, kur ndërkohë opozita duket e vonuar në zbritjen në terren. Prilli mund të duket larg, dhe fushatën elektorale dikush mund ta konsiderojë të hershme në këtë muaj. Por kur gjatë këtij mandati ka pasur një konflikt të tejzgjatur politik, kur ndërkohë ke dalë nga Parlamenti prej një viti e gjysmë dhe ke braktisur zgjedhjet vendore, mund të mendohej se fushata elektorale e opozitës do të ishte e përditshme, dinamike dhe trysnuese. Por jo.
Në terren tek elektorati është PS-ja, që duket sikur po kryen fushatë e vetme. PD-ja ndërkohë ka nisur një fushatë plot pretendime për kandidaturat për deputetë e për të cilët është thirrur anëtarësia e partisë për t’i votëbesuar. Gjithsesi, fushata po rezulton sfilitëse për një parti që s’duhet të ketë kohë për të humbur për t’u hedhur në betejën elektorale. Së pari, sepse kjo formulë përzgjedhjeje dhe votimi duket se ishte një formë në nxitim e sipër, për hir të idesë së minutës së fundit për listat e hapura të kandidatëve për zgjedhje. Nuk mendohej se kjo mënyrë e re përzgjedhjeje do të thithte aq shumë energji dhe do të hapte aq andralla e qejfmbetje brenda vetë radhëve të figurave të PD-së. Askush nuk duket i fokusuar te fushata e madhe, te beteja zgjedhore që finalizon në 25 prill. Figurat e përfaqësuesit e PD-së mbeten thjesht të fokusuar te gara brenda tyre, se kush do të finalizojë te lista përfundimtare e kandidatëve. Dhe kjo situatë nuk dihet ende se sa do të zgjasë. Por edhe çfarë kostoje do të ketë, pasi të pakënaqurve të vjetër mund t’u shtohen qejfprishur të rinj. Mjafton të shohësh ekranet televizive dhe vëren se figurat e opozitës po u mungojnë debateve.
Ka një boshllëk opozitar në funksion të zgjedhjeve dhe intervistat e reagimet e pakta janë vetëm rreth qëndrimeve në Këshillin Politik. I vetmi që tashmë po del për ta mbushur disi këtë boshllëk prezantimi televiziv, është ish-kryeministri Berisha, i cili, sidoqoftë, nuk ka probleme me garën që zhvillohet për listën përfaqësuese të PD-së në zgjedhjet e ardhshme. E në këtë vakuum, lëvizjet për ta mbushur me gjëra sporadike e të pastudiuara, mund të kushtojnë politikisht. I tillë qe programi prej 5 pikash, i prezantuar nga kryetari i PD-së, Basha, për daljen nga kriza ekonomike. Pas kritikave që iu bënë nga ekspertët këtij programi prej 5 pikash, nga selia e PD-së u ngutën të deklaronin se ky nuk ishte programi ekonomik i PD-së për fushatën. Në këto kushte, kur opozita mbetet e zënë me vetveten, terreni ka mbetur i lirë. PS-ja ka nisur një garë ku ende mbetet e vetme në fushë, pasi përballë nuk ka asnjë kundërshtar. Duket si situatë absurdi, ku sfidanti që kërkon përbysjen ende nuk është gati për të nisur lojën. Nxemja ka filluar, por trajneri i opozitës ende nuk e ka listën për ekipin që do fusë në fushë.