“Aksi Milot-Fier është një nga projektet më ambiciozë të qeverisë Rama, pasi ajo është pjesë edhe e kolektivitetit të Ballkanit Perëndimor dhe nuk ka vetëm një vlerë të shtuar për vendin tonë, por ka dhe një vlerë rajonale për sa i takon zhvillimit të ekonomisë së Rajonit të Ballkanit Perëndimor”.
Kështu u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku sot në konferencën e përbashkët me Kryeministrin Edi Rama, ku informoi se “projekti për ndërtimin e rrugës Milot -Fier, 150 km pjesë e korridorit Blu, është në ditët e fundit të garës dhe përfundon në datën 28 tetor.
“Me shpresën që do të kemi pjesëmarrje të plotë dhe interes dhe pas vlerësimit që do të bëhet nga komisioni të kemi një fitues për të lidhur sa më parë kontratën dhe për të nisur kantieret pasi nuk bëhet fjalë për një kantier por për disa, maksimalisht 4, duke qenë se përfshin edhe pjesë të rëndësishmes të infrastrukturës, siç është nyja e Tiranës, hyrja e Rinasit, kantiere të cilat do të nisin menjëherë nga puna për të pasur një rezultat prej 36 muajsh për të dorëzuar këtë vepër kaq të rëndësishme”, – tha Balluku.
Duke u ndalur në faktet ekonomike të korridorit Blu, Balluku tha se përveç lidhjes që krijohet midis zonave dhe rajonale midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, më pas duke shtuar edhe lotet e tjera me Greqinë ky aks infrastrukture ka një impakt të rëndësishëm ekonomik.
Balluku tha se, “impakti direkt i segmentit Milot -Fier do të jetë në punësimin e mbi 2 mijë personave dhe efekti financiar llogaritet në 400 milionë euro dhe ndikimi indirekt për sa i takon të ardhurave nga ky projekt llogariten në rreth 600-700 milionë euro. Ndërsa impakti total i këtij projekti të korridorit Blu përllogaritet në 21 mijë vende pune 1.2 miliardë euro ndikim ekonomik”.
Ajo theksoi se, korridori Blu ka edhe dy segmente të tjerë që sot ndodhen në fazë përgatitore që janë segmenti në Muriqan jo duke ndjekur rrugën tradicionale të Shkodrës, por duke ndjekur bregdet e Lezhës dhe segmenti i tretë është ai që nis nga Memaliaj për të përfunduar në daljen e Kakavijës, 68 km.