Nga Ani Jaupaj/

Për Alket Islamin, gjithë këta muaj pandemie, kanë qenë të ngjashëm me kohë të largëta, kur sapo nisi të zbulonte qiellin. Në vitet ’90, kur i ngrinim sytë vetëm për të parë retë, Alketi kishte nisur udhëtimet në Dhërmi, për të eksploruar tokën, për të gjetur erën e duhur që do ta ndihmonte në fluturim. Atëherë nuk kishte fotografi! Nuk kishte Instagram, nuk kishte asgjë që të të tregonte bukuritë e natyrës që zbulonte Alketi. Edhe tani, kur horizonti ynë ishte vetëm ai i dritares apo ballkonit të shtëpisë, Alketi ishte sërish nëpër re, i vetëm! Vetëm se këtë herë ai e dinte që fotografitë do t’i shërbenin më shumë se të gjitha herët. “Fotografitë e Tiranës gjatë mbylljes totale janë të mahnitshme. Kam bërë kaq shumë dhe po e shtyj botimin e albumit vetëm nga pamundësia për të përzgjedhur mes tyre.” Nga ana tjetër, për Aeronautikën, pandemia nuk ka qenë kaq agresive. Përveç shtyrjes, nuk ka anuluar aktivitete. Nesër, nga Vlora, nis ‘Open Air’

Alket, si kanë ndikuar muajt e gjatë të pandemisë për aeronautikën?

Për ne nuk ka qenë aq e ashpër sa për aktivitetet e tjera sepse fluturimet janë bërë. Duke mos qenë edhe sport me spektator apo grumbullime masive, jemi më të favorizuar. Natyra na ndihmon! E vetmja pjesë që ka zbehur garat, ka qenë mungesa e konkurrentëve të huaj. Aktivitetet tona vetëm janë shtyrë dhe kjo për arsye se datat e parashikuara përkonin me pikun e pandemisë, muajt prill, maj. Tani nuk mund ta shtyjmë më sepse nuk ka më kohë.

Nesër nis ‘Open Air’. Ka të huaj në garë?

Ka, por jo aq sa ka patur në vitet e shkuara. Kanë ardhur vetëm përfaqësuesit e vendeve që nuk kanë mbyllje apo rrethana të rënduara.

Ku do të zhvillohet?

Ne do të fluturojmë nga Shashica, Në Vlorë, si përherë. Edhe këtë vit do të fluturojmë me kushtet e vjetra sepse në vitin e ardhshëm e në vazhdim kushtet do të jenë krejtësisht të ndryshuara. Me ndërtimin e Bypassit të ri, do të eliminohet vajtja me makina deri në Shashicë. Do të ndërtohet një parkim dhe trampolinë vetëm për aeronautikën dhe do të na lehtësojë shumë. Fluturimi aty është tepër i favorshëm për shkak të drejtimit të erës dhe panoramës fantastike. Aktualisht çunat janë atje duke u stërvitur për garën e nesërme.

Ndërkohë, organizimi i aktiviteteve sportive nuk ju pengon të jeni edhe në ato politike. Në fakt jeni shfaqur me Veliaj në kohë të ndryshme, jo vetëm tani që ka nisur fushata. Si ka nisur njohja me të?

Po, njohja jonë është e hershme, që kur Erioni u kthye nga Amerika, në vitin 2000.
Kemi pasur bashkëpunime të vazhdueshme prej nga mund të veçoj trampolinën që ndërtuam në malin e Dajtit. Erioni e mori përsipër që kur i thash dhe e bëri. Kjo mundësoi përfshirjen e shumë të rinjve në sport sepse nisën fluturimet nga Dajti.

Aktualisht çfarë do të doje të bënte për rrethanat në të cilat stërviteni?

Tani kemi të domosdoshme së pari gjetjen e më pas ndërtimin e një vendi të përhershëm ku mund të stërvitemi sepse qëndrojmë për një kohë diku dhe jemi të detyruar të spostohemi, për çështje të pronësive të tokave. Megjithatë po diskutojmë që të gjejmë një kodër në përreth Tiranës, në Vishnje apo Baldushk, të shohim!

Kështu që do ta mbështesësh edhe këtë herë?

Përkrahja nuk diskutohet që në momentin që ekspozohesh me të dhe nuk kam pse të mos e bëj kur edhe ai më ka mbështetur përherë, respekti ka qenë i ndërsjellë. Kudo dhe kurdo që e kam ftuar ka qenë aty, si në promovimet e albumeve të mia ashtu edhe kur e kam ftuar në fluturime. Kur bashkëpunimet bëhen në një shtrirje të gjatë kohore, marrëdhënia bëhet doemos edhe miqësore.

Alket, a ke bërë fotografi nga ajri gjatë pandemisë?

Kam bërë dhe mendoj se janë nga më të veçantat e të bukurat. Aq sa nuk po zgjedh dot se cilat të përfshij në album, aq shumë janë. Nga rreth 25 mijë fotografi duhet të zgjedh vetëm 200 dhe kjo po më bën ta shtyj botimin e albumit për Tiranën. Tirana gjatë pandemisë ka qenë madhështore, janë vërtet fotografi fantastike. Albumi do të jetë i ndarë në volume dhe do të botohen fotografi që nga viti 2000, për të parë ndryshimet nga pikëpamja urbane etj./dritare.net