Nga Irsa Ruçi/
Dy janë alternativat politike që u propozohen sot shqiptarëve: Qeveria aktuale me Kryeministrin Rama në krye nga njëra anë dhe PD + LSI nga ana tjetër. Ka dhe disa zëra tek – tuk në skenën publike që tentojnë të ngrihen në tymnajën e përditshmërisë, por në këtë analizë do ndalemi tek alternativa skualifikuese, duke ndjekur shembullin e votimit të brendshëm opozitar.
Në kampin opozitar, gjendja është kjo: 1. Akuza personale drejtuar kryeministrit, ministrave, qeverisë në përgjithësi, për gjithçka, s’ka rëndësi çfarë emri ka apo për çfarë bëhet fjalë. Pamundësia për të realizuar një analizë të qartë të punës së deri tanishme të qeverisë dhe mosprania për të mbështetur politikat shtetërore në dobi të qytetarëve; që i ka larguar shumë nga mjedisi politik dhe aktualiteti. Pra, opozita momentalisht nuk e njeh terrenin, nuk i di hallet dhe shqetësimet e popullit, nuk është bërë pjesëmarrëse në problematikat që vendi ka kaluar, peripecitë dhe reformat që janë ndërmarrë për t’i kapërcyer vështirësitë.
2. Nga ana tjetër, artikulime mediatike që ngjallin dëshpërim dhe pesimizëm, mungesa e thellë e një programi opozitar, mos ekzistenca e një platforme strategjike që të shërbejë si shtyllë për të merituar votëbesim dhe një mungesë e theksuar koordinimi i brendshëm. Ndarje e PD-së në disa fraksione, ku shumica e të djathtëve nuk e duan z. Basha si kryetar të partisë që i përfaqëson; dhe mëritë e përçarjet e kanë dobësuar shumë lidhjen dhe frymën e lirisë brenda strukturave. Nga ana tjetër, një LSI e bërë lesh e li, e tretur si kripa në det pas humbjes, pasi “programi” i vetëm me të cilin qëndroi në pushtet ishte premtimi për të punësuar militantët, në atë që është Administrata Shtetërore e gjithë shqiptarëve.
3. Distanca e lidhjeve me elektoratin është e theksuar; dhe humnera e kësaj largësie që nuk mund të kapërcehet për gjashtë muaj lë shumë hije dyshimi, që duheshin zbehur patjetër me krijimin e një Plani Veprimi, i cili kërkon një kohë dhe angazhim të paktën dy vjeçar. Politika e së ardhmes ka nevojë për frymë dhe shpresë, jo për fjalë që priten në besë. 4. Mungesa e frymës së demokracisë brenda partisë që u ngjiz me ideale të larta dhe u katandis në interesa të ulta. Këtë e tregoi procesi i votimit të brendshëm, që ishte një garë skualifikuese, në vend që të ishte një ringritje vlerash. U premtua rikthimi i figurave tradicionale të PD-së, dmth atyre që kanë qenë në pushtet para 7 vitesh dhe mbi 1 milion shqiptarë i refuzuan si alternativë. Po riciklohet alternativa e gabuar, një tentativë për të risjellë politikën e vjetër; të cilën po tenton ta kapë dhe LSI në frymën e vet. Po bëhet pazar në “gabin politik” dhe ripërsëritja e historisë duke ricikluar pambarim të kaluarën, për të refuzuar të parit përpara drejt së ardhmes, ka kundër absolutisht çdo qytetar.
5. Opozita artikulon pambarim rininë, por nuk ofron asnjë ide për ta, madje po i trajton si problem, duke i përdorur politikisht, sepse flasin në emër të tyre pa i bërë pjesë. Këtë e vërteton fakti që quajnë risi në parti që po rifuten emra të vjetër, po ofrohet si alternativë besimi eksperienca e tyre; duke injoruar mençurinë, energjinë dhe aftësinë e mijëra të rinjve shqiptarë, që kanë kualifikimet dhe arsimin e nevojshëm për të qenë zë politik dhe faktor ndryshimi. 6. Opozita përmend orë e minut oligarkët, akuzon qeverinë për lidhje me ta; por nuk përmend asnjëherë kohën në të cilën këta oligarkë morën fuqi. Pra fuqinë e morën në kohën që qeveriste PD-ja dhe shumica e përfituesve të tenderave publikë janë të njëjtët e kohës që bashkëpunonte z. Basha për gjithë vitet kur ishte në pushtet. 7. Opozita su lmon biznesin e madh, atë rrjetë fuqie që sjell zhvillimin e vendit dhe çon përpara ekonominë. Si pretendon opozita të mbajë gjallë ekonominë ndërkohë që sulmon dhe hedh pafund baltë mbi biznesin e madh, atë që është frymëmarrja e vendit? Sipërmarrësit e mëdhenj shqiptarë dhe ndërkombëtarë që kanë investuar në vendin tonë dhe kontribuojnë në ekonominë shqiptare, do hyjnë në një kolaps të thellë identiteti dhe ndaj tyre do bëhet reprezalje, nëse opozita do kishte në dorë pushtetin. Do ishin pafund familje shqiptare që janë të punësuar në këto biznese, të cilët do mbeteshin në rrugë të madhe, duke u përballur me falimentimin e vendit dhe kolapsin social.
8. Ka një fuqi opozitare për të refuzuar çdo investim publik, për të bllokuar iniciativa që modernizojnë vendin, e një kundërshti ndaj të bukurës, për të mos e pranuar. Nëse sot shqiptarët bëjnë qindra foto nëpër vende të ndryshme në Shqipëri, kjo është falë transformimit urban që u ndërmor në çdo qytet, cep e tërthor që në mandatin e parë të qeverisë Rama. 9. Fitorja është lënë në mëshirën e fatit dhe në lutjen për të prekur dëshpërimin njerëzor, duke shfrytëzuar tragjeditë që vendi kaloi rradhazi. Nuk mund të lihet votëbesimi në zemërimin e shqiptarëve. Gjuha e artikulimit nuk mund të jetë mbjellja e urrejtjes në zemrat e shqiptarëve, duke përfituar prej dobësisë së vuajtjes njerëzore. Alternativa e vetme dhe e ndershme që opozita duhet të kërkojë dhe luftojë për të fituar është ballafaqimi me realitetin, dalja për zot këtij vendi me plane konkrete, të detajuara, me shifra dhe fakte, me teza dhe qëndrime që demostrojnë pjekuri politike, jo me qarje dhe gjuhë agresive që i ka lodhur pafund shqiptarët.
10. Paaftësia për të prodhuar zgjidhje konkrete, menaxhim situate. Pyetja që shtrohet dhe duhet të jetë një dilemë e madhe në mendjen e çdo shqiptari është: A do kishte mundur dot z. Basha të përballonte dy tërmete shkatërruese për vendin, që na prekën njerëzisht deri në palcë dhe një pandemi të rrezikshme, e cila vë secilin prej nesh në pikëpyetje për të nesërmen, të gjitha këto rresht njëra pas tjetrës? Duke mbajtur parasysh që z. Basha nuk është i paprovuar me pushtetin më parë, por ka mbajtur funksione publike nga më të rëndësishmet, duke qenë edhe Kryetar Bashkie i Tiranës, detyra të cilat kanë lënë hije dyshimi të forta dhe akuza për paaftësi, pyetja më lart merr një tjetër vlerë. Sepse nëse nuk menaxhon dot një hallkë të caktuar të qeverisjes, në një kohë normale; si mund të pretendohet t’i dalë për zot Shqipërisë në kohë lufte dhe fatkeqësie?
Nëse përmbledhtazi panorama politike nga kampi opozitar ishte kjo, një lesheli në përmbajtje dhe veç fjalë që i merr era në realitet, është mira ta mendojmë fuqinë që kemi në dorë për t’i besuar të ardhmen, përpara se të pendohemi kur të jetë vonë, sepse do përfundojmë ashtu siç thotë një shprehje e bukur popullore: “Vajtëm për lesh e dolëm të qethur.”