Nga Frrok Çupi/
-E mjera ti moj Jozefinë!
Ça i ndodhi kësaj?… Miku im, ka qenë ca ditë gazetar i RD, shkroi dje sapo mori vesh se Jozi nuk është më ‘jona’. Sa shumë të tjerë do ta hanin të gjallë. Jozefina Topalli ka bërë vetëm një akt, që këta e lidhin me aktin femëror të divorcit: Ajo la shtëpinë e vjetër dhe u nis për një familje të re politike.
… Po ça donte të bënte më keq? Për këtë gjë këta të marrin shpirtin. Rasti e solli që aktin më të fundit e kreu një grua dhe këta e lidhën me mëkatin e divorcit. Ka qëlluar që divorci në derën e PD, si edhe martesa, kryhen sipas të të njëjtit habitat si në familjen komuniste: Banesa e ngushtë një dhomë e kuzhinë ku gruaja e divorcuar s’ka ku bën ‘gëk’. Kadare ka shkruar në një poezi të hershme se ‘jetojmë aq ngushtë, sa nuk kemi as ku të zihemi’.
Qysh prej fillimit, aty nga viti 1991-92 në Partinë Demokratike u desh fushë e madhe për beteja të zhurmshme. Se shumë karaktere, shumë tipa, shumë implikime u strehuan në një shtëpi ku nisi shpejt trysnia: Disa vinin nga shkollat, disa nga organizatat e partisë së Punës, disa nga burgjet, disa nga dënimet false, disa nga Komiteti Qendror i Partisë së Punës, disa spiunë të Sigurimit, disa vetë oficerë të lartë të Sigurimit, disa ‘Vullnetarë të Enverit”…
Speciet e çuditshme, për të cilat presidenti Ramiz Alia pat thënë se ‘ça patëm nëpër bodrume ua dërguam në PD’, kërkuan hapësirat e tyre në atë ngushticë një dhomë e një kuzhinë.
Qysh nga dita e parë e formimit të PD, nga dera e pasme e saj nisën të dalin parti të reja. Doli Aleanca, që në fakt ishte vetë thelbi i PD; dolën Dashi, Bashi, Pollo, Llollo, Shehu, Mehu…, nja njëzetepesë parti deri te më të fundit: Murrizi, Hajdari, Topalli.
Gjithë ushtria e PD, që rri si brenda Partisë edhe jashtë, u janë sulur këtyre që dolën në shtëpi të tyre. Këta duhej të qëndronin si macet, në atë cep të banesës një dhomë e një kuzhinë; të divorcuar por nën sundimin e burrit. Miku im gazetar i PD që i tha Jozit ‘e mjera ti, moj’, për vete jeton në shtetin më të fuqishëm të botës, me hapësira pa fund, por Jozin e do në qoshe, të strukur.
Krimet ndaj gruas së divrorcuar janë quajtur ‘krime pasioni’, por në fakt janë më të rënda: krime kundër njeriut. Njeriu ka nevojë për strehë- minimumi i mundshëm. Këta të përzënë nga streha dhe pasi të përzënë të urdhërojnë edhe të mos bësh strehë. Jo vetëm të mos bësh strehë, por natën kur flenë qentë duhet të të lidhin te mani. Aty bie shiu e bora, dielli e hëna, qeni e ujku…, por ti nuk duhet të lëvizësh. Po lëvize- je tradhtar; po të shpallesh tradhtar, atëherë të vegjlit do të të linçojnë. Po të bësh strehë tjetër, turpëron shtëpinë e madhe dhe i bën dëm Partisë… Pse duhet të lejohet Jozefina Topalli të bëjë një tjetër ‘parti politike’?. ‘E mjera ti, moj!’, çfarë të pret, i tha miku im demokrat. As Murrizi, as gjembaçi, as Rudina, as astriti… nuk kanë të drejtë për tjetër strehë. Nga një ekran po dëgjoja ide mallkimesh se këta ‘po i bëjnë partitë për karrierë politike’, dhe ky qenka turpi. Po edhe karrierën ia ndaloni tjetrit? Edhe rritjen ia ndaloni fëmijës, edhe kostumin e ri, edhe martesën, edhe divorcin?
Historia represive brenda në PD është aq e gjatë sa ç’është jeta e saj. Qysh prej fillimit nisi përjashtimi dhe eliminimi i themeluesve dhe anëtarëve të saj. Gramoz Pashko u dërgua në derën e burgut dhe u përjashtua nga funksionet në shtet e në Parti; Azem Hajdari u përjashtua nga PD dhe iu hoq imuniteti parlamentar; Genc Ruli e Rexhep Uka u dërguan për në burg të druri i arrës; Zenel Hoxha u shpall heretik; Ben Mecen e lidhën me presidentin komunist; Ilir Hotin e mori dheu… Aq sa udhëheqës janë eliminuar në PD, aq janë edhe ata anëtarë të Byrosë Politike që u eliminuan në Partinë komuniste. Sot në listat e PD për deputetë nuk ka asnjë nga themeluesit e PD.
Të linçojnë të vegjlit, këta që bubrrojnë për ndonjë thërrime nën pullazin e shtëpisë së Partisë. Po të ishte se vetëm liderët kryesorë e bëjnë këtë, hajde se do të dinte njeriu nga të ruhet. Sa për udhëheqësin kryesor të Partisë, njeriu mund të bënte aleancë me një nga ‘zezakët’ që ruan oborrin. Dhe mund ta liroje një herë litarin te mani…
Por janë të gjithë që duan të të hanë nëse pasi të kanë përzënë ti bën strehën tënde.
Mjera ti moj Jozefinë!, tha ai tipi.