Kur Joe Biden bëri betimin si zëvendës president për herë të dytë më 21 janar të 2013-ës, kishte pëshpërima mes demokratëve lidhur me një kandidim për president të politikanit të përjetshëm. Tashmë, pas një dekade me triumfe dhe tragjedi, komplimente dhe zhvillime kontroverse, personi, të cilit shpesh i referohen si “Xhaxha Xho”, i ka sytë nga Shtëpia e Bardhë në zgjedhjet e 2020-s. Biden ka shërbyer 36 vite në Senatin Amerikan duke përfaqësuar Delauer dhe 8 vite si zëvendës president në administratën e presidentit Barack Obama. Gjatë kësaj kohe nuk i munguan dhe episodet që e vendosën në një pozitë të vështirë, saqë kërkoi falje publike për shkelje të hapësirës personale të personave të tjerë. “Unë gjithmonë do të besoj, duke qeverisur sinqerisht, jeta për këtë çështje, ka të bëjë me lidhjen, me lidhjen me njerëzit, kjo nuk do të ndryshojë. Por unë do të jem më i vëmendshëm për respektimin e hapësirës personale”.
Biden, në rezymenë e të cilit janë shënuar dy fushata presidenciale të dështuara në vitin 1988 dhe 2008, tha në një event në Delauer, se nuk dëshiron që edhe tentativa e tretë të ketë të njëjtin fat. “Nuk mund të vazhdojë kështu, njerëz. Unë e di që më kritikojnë. Më thanë se kritikohem nga ‘E majta e Re’. Unë kam rekordin më progresiv të çdokujt që kandidon për … të çdokujt që do të garonte … Sepse njerëz, ne duhet ta bashkojmë sërish këtë vend”.
Biden zgjodhi të mos garonte në 2016, kur ish-sekretarja e shtetit, Hillary Clinton, konsiderohej gjerësisht si favoritja kryesore për nominimin në partinë Demokrate.
Disa analistë politikë kanë ngritur spekulime se ai mund të fitonte shtete të konsideruara fushëbetejë si Pensilvania, Miçigan dhe Uiskonsin, të cilat rezultuan shumë të rëndësishme në fitoren surprizë të Donald Trump. “Mendoj se shkoi shumë mirë. Shpresoj që ata ta shijojnë po aq shumë sa Jill dhe unë… Asnjë administratë nuk është gati që ditën e parë. Ne nuk ishim gati. Nuk kam njohur dikë që ka qenë gati që në ditën e parë. Pork am besim se gjithçka do të jetë në duar të mira”.
Biden shërbeu në të dy mandatet e Obamës si zëvendës president. Ata u bën të njohur për marrëdhënien e tyre të ngushtë, të cilën presidenti Obama me shaka e quante “bromance”, në shqip “romancë vëllazërore”. Obama hodhi vështrimin nga Biden pasi ai i përmbushte të gjitha kushtet për ta zgjedhur si bashkëgarues, karriera 36-vjeçare në Senat, përvoja e thellë e politikës së jashtme dhe personaliteti politik. Dukshëm Biden, ia doli të shmangte mallkimin e ndërrimit të zëvendës presidentit dhe fitoi edhe një nderim shtetëror, gjest i cili e emocionoi tepër. Por stili i papërmbajtshëm i Biden, jashtë manshetës e ka futur atë edhe në telashe. Ai krijoi një precedent në ceremoninë e Shtëpisë së Bardhë për nënshkrimin e marrëveshjes për përkujdesjen shëndetësore të Obamës në 2010, kur mikrofoni e kapi duke thënë: “This is a big fucking deal”.
Gjatë periudhës së tij në detyrë, jeta personale e Biden u shënua edhe nga një tragjedi, kur djali Beau humbi jetën nga kanceri në tru në vitin 2015. Beau Biden ishte shumë i afërt me të atin dhe një prezencë e njohur në fushatat politike. Në atë kohë, Joe Biden tha se dritarja për një garë presidenciale ishte mbyllur. “Ndërsa familja ime dhe unë kemi punuar gjatë procesit të pikëllimit, unë kam thënë gjatë gjithë kohës, se kur kjo të kalojë, do të mbyllë dhe dritaren e një fushate reale presidenciale. Tashmë e kam marrë vendimin, është çështje e mbyllur”. Por kohërat kanë ndryshuar, bashkë me të edhe mendja e 77-vjeçarit. Tani Biden dhe demokratja Kamala Harris lanë pas përplasjet dhe u bashkuan në garën për Shtëpinë e Bardhë. Synimi i tyre është të mundin presidentin, Donald Trump, në zgjedhjet e 3 nëntorit që janë shënuar gjerësisht nga kushtëzimi i detyruar i fushatës për shkak të pandemisë koronavirus. 77-vjeçari Biden do të jetë presidenti më i vjetër në historinë amerikane nëse fiton. Kjo ngre spekulime të mëdha, se në këtë rast ai nuk do të kërkojë rizgjedhje në vitin 2024. (