Kur presidenti amerikan Donald Trump u çua me urgjencë drejt spitalit, askush nuk priste ta shihte në një tubim elektoral vetëm një javë më pas. Pas njoftimit të mjekëve se Trump ka përfunduar trajtimin mjekësor dhe se ndodhet në gjendje shumë të mirë shëndetësore, kreu i Shtëpisë së Bardhë planifikon t’i rikthehet tubimeve publike. Mjeku i tij, Dr Sean Conley tha se presidenti ishte përgjigjur “jashtëzakonisht mirë” ndaj mjekimit dhe se ishe në gjendje të qëndrueshme. Trump deklaroi se do të bënte një tjetër tampon të premten dhe se shpresonte të mbante një tubim gjatë fundjavës. Por si u shërua presidenti Trump brenda një kohe kaq të shkurtër? Në një memo të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë të enjten në mbrëmje, Dr Conley tha se Trump nuk po shfaqte shenja që sugjeronin përparimin e koronavirusit në organizëm.
“E shtuna do të jetë dita 10 që nga diagnostikimi i presidentit me Covid-19 dhe bazuar në punën që ekipi mjekësor ka kryer, unë parashikoj kthimin e sigurt të presidentit në angazhimet publike”, theksoi ai. Duke folur për Fox-in të enjten vonë, Trump tha se ai ndihej “me të vërtetë mirë” dhe se shpresonte të mbante një tubim fushate të shtunën në mbrëmje, në Florida. Ai tha se ai kishte ndaluar së marri shumicën e ilaçeve terapeutikëve, por po merrte ende steroide.
Por megjithëse mjeku i tij ka thënë se ai tani nuk ka simptoma, mediat amerikane kanë ngritur pyetje të shumta nëse presidenti mund të përbëjë rrezik për ata rreth vetes dhe të përhapë koronavirusin. Zakonisht pacientëve u duhen dy javë trajtim mjekësor për t’u rikuperuar plotësisht. Disa ekspertë mjekësorë ngrenë dyshimet përderisa president u shërua brenda një kohë të shkurtër, ai mund të ketë testuar pozitiv dhe mund të ketë shfaqur simptoma më përpara se të konfirmonte infektimin me koronavirus.
Në protokollin e saj, OBSH-ja këshillon që të infektuarit të vazhdojnë të qëndrojnë në izolim dy javë pas shërimit, pas rreziku që ai të përhapë koronavirusin është ende i madh. Përpjekja e Presidentit për të treguar se e ka fituar betejën me Covid-19 vjen pasi kritikët e Trump sugjeruan që shëndeti i tij mund të ndikojë në zgjedhjet presidenciale. “Ai nuk është mirë. Ne nuk do të donim që amerikanët e infektuar të bënin gjërat që ai po bën pasi diagnostikimit me Covid-19”, thonë analisti Rick Bright. Bright, ish-drejtori i Autoritetit të Kërkimit të Vaksinave, tha se normalisht, dikush që i ishte nënshtruar terapive eksperimentale me Covid-19 do të duhet të ishte akoma në një shtrat spitali.
“Është shumë e rrezikshme. Ai është në krye të shumë gjërave, merr shumë vendime të rëndësishme për vendin tonë dhe botën”, tha Bright, i cili foli publikisht pasi dha dorëheqjen këtë javë. “Nëse ai nuk është në formën e duhur dhe nuk ka një mendje plotësisht të shëndoshë për të marrë vendime në mënyrë racionale, atëherë ai mund të jetë një rrezik për vendin dhe botën”. Shumë eskpertë thonë se deklaratat e Trump pas daljes nga spitali se amerikanët nuk duhet të lejojnë që sëmundja të “mbizotërojë” mbi ta, po komplikojnë përpjekjet e zyrtarëve të shëndetit publik për të promovuar respektimin e masave të sigurisë publike si mbajtjen e maskave dhe shmangien e zonave të mbushura me njerëz. Pa ekspertizë mjekësore, Presidenti po këmbëngul se nuk ka rrezik të infektojë të tjerët. Shtëpia e Bardhë po argumenton se shqetësimet e privatësisë i pengojnë ata të ndajnë detaje se kur e ka bërë për herë të fundit presidenti tamponin.
“Ky informacion është i rëndësishëm për të vlerësuar nëse Presidenti mund të marrë pjesë në ngjarjet publike, apo nëse ka marrë pjesë në tubime ndërkohë që e dinte se ishte i infektuar. Data e tamponit mund të përcaktojë nëse Shtëpia e Bardhë po thoshte të vërtetën kur thotë se Trump ishte testuar rregullisht dhe është gjithashtu thelbësore për të vlerësuar pretendimet e Presidentit se është rikuperuar plotësisht”, shkrua sot “CNN”. Njoftimi për rikthimin në fushatë erdhi vetëm disa orë pasi presidenti u tërhoq nga debati virtual të enjten e ardhshme me rivalin demokrat Joe Biden. Ai tha se “nuk do ta humbte kohën në një debat virtual” pasi organizatorët thanë se do të duhej të zhvillohej në distancë sepse Trump kishte rezultuar pozitiv për koronavirus.
Ndërkohë, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, demokratja më e fuqishme në Uashington, tha se pyetjet në lidhje me shëndetin e Trump ishin ende pa përgjigje.
Ajo theksoi se kishte në plan të krijonte një komision për të vlerësuar aftësinë dhe shëndetin e presidentit për të qëndruar në detyrë. Sipas saj, komisioni do të ngrihet nën amendamentin e 25-të, i cili përcakton se një president mund të hiqet nga pushteti nëse konsiderohet i paaftë për të kryer detyrën. Trump u përgjigj në Twitter, duke e quajtur zonjën Pelosi “të çmendur”.